Rama në Kamëz, prezanton kandidatin Rakip Suli
Kryetari i PS-së Edi Rama ka prezantuar sot në Kamëz kandidatin e koalicionit “aleanca për të ardhmen” Rakip Suli.
Në fjalën e tij Rama ka theksuar se kryeministri Berisha nuk ka bërë asgjë për Kamzën por ka paturpësinë që të shkruaj në slloganin e tij “kamza ime”.
“Qeveria nuk bën asgjë përveçse tund flamurin e PD-së që besuan të gjithë ata që e çliruan Shqipërinë dhe kanë përfitime vetëm oborri dhe jo demokratët e ndershëm” theksoi Rama.
Duke i bërë thirrje banorëve të Kamzës të votojnë alternativën “aleanca për të ardhmen” në zgjedhjet e 8 majit, Rama theksoi se Kamza duhet t`I kërkojë llogari kryeministrit për legalizimet.
“Në 8 maj është dita që pas 20 vjetësh t`i thoni pse nuk janë legalizuar shtëpitë tuaja. Sot ju them me plot gojën se duke votuar Rakip Sulin ju keni sjellë njëkohësisht një garanci për premtimet tona” theksoi Rama.
Më tej Rama ka premtuar se brenda 300 ditëve të para së bashku me Rakip Sulin do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për legalizim duke u dhënë banorëve kështu edhe një përgjigje për shtëpitë e tyre.