E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO? U vlerësua populli, politika u vlerësua në 97-n

Personalisht më vinë zorrët tek goja, kur dëgjoj politikanë të ndryshëm të më flasin me triumfalizëm për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ky akt historik është se pari meritë e popullit shqiptar. Me një politikë me largëpamëse e demokratike, me një politikë perëndimore e jo çarthorse, Shqipëria duhej të ishte pranuar jo vetëm në NATO, por edhe në BE qysh në 1997-1998-ën.

Pikërisht atë vit NATO dhe BE u detyruan të dërgojnë forcat e tyre paqeruajtëse për të shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi dhe katrahura totale sikur Shqipëria të ishte Ruanda, Darfuri apo Xhibutl, për shkak të politikës së mbrapshtë dhe autokratike të politikanëve shqiptarë të djeshëm e të sotëm.

Në vend të kërkojnë dekorata e flete-lavdërime për këtë akt historik, po të ishin vërtetë të ndershëm e seriozë, liderët politikë shqiptarë duhet të kërkonin e të kërkojnë falje për këto vonesa pa arsye e për lënien e Shqipërisë si vagonin e fundit të trenit Evropian.

Të mbeteshin të tillë Serbia, Sllovakia ... etj., do të ishte normale për shkak të anti-amerikanizmit të tyre. Por në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me popullin dhe kombin më proamerikan dhe më pro-perëndimor në mbarë Botën.

Pra, populli është më politikan, më properëndimor, më demokrat se politikanët që ka në krye.

Vetëm e vetëm se për karriget e tyre, vetëm e vetëm për privilegjet e vetëm e vetëm për bajrakun e tyre, liderët politike i sollën e vazhdojnë t’i sjellin edhe sot vonesa, gjithnjë vonesa vagonit shqiptar. Ata janë arsyeja e parë dhe e fundit e vonesave shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›