Rama në Kosovë, Berisha: Vizitë përçarëse
Vizitë përçarëse, kështu e cilësoi ish-kryeministri, Sali Berisha vizitën e pasardhësit të tij, Edi Rama dje në Kosovë. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se Rama gjatë fjalës së tij në parlamentin e Kosovës, injoroi figurën e Rugovës. Në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës por dhe mbarë kombin shqiptar, shkruan Berisha. Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare. Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Evropës shkruante ndwr tw tjera Berisha.
PD: Rama tu kërkoj falje kosovarëve për Bregoviçin
Partia Demokratike i kërkoi kryeministrit, Edi Rama që gjatë vizitës së tij në Kosovë tu kërkojë të falur atyre për nderimet që i bëri Bregoviçit në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani tha se pavarësisht se është shumë vonë, Rama është në vendin e duhur për tu kërkua falje kosovarëve. Përpara se të flasë për projektet me Kosovën dhe traktatin e miqësisë me të, një shpikje e çuditshme e Rama kjo, ai duhet të kërkojë falje për nderimin, që i ka bërë Goran Bregoviçit, një muzikant i njohur për vokacionin e tij antishqiptar, deklaroi Bogdani. Sipas tij, Rama në kohë që ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës ka ngritur në piedestalin e kryeqytetit, muzikantin e preferuar të çetnikëve, që u këndonte spastrimeve etnike dhe genocidit në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Ai thotë se vizioni i tij ka ndryshuar, por e kaluara jo e largët është aty dhe dëshmon të kundërtën, deri në momentin që vetë Rama të distancohet, përfundoi deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.