E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kuvendin e Kosovës: Të unifikojmë axhendën shqiptare

Akuza Maqedonisë: Nuk po respekton marrëveshjet për shqiptarët. Kryeministri i ri shqiptar citon Konicën: Mbetem i juaji me besë!

photo jutta benzenberg _MG_2501(1)Unifikimi i programeve të kulturës, shkencës, arsimit dhe sportit ishte kryefjala e fjalimit të mbajtur dje nga kryeministri, Edi Rama para deputetëve të parlamentit të Kosovës. Rama kërkoi zbatimin e konventave ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve ndërsa nuk i kurse kritikat për Maqedoninë për mosrespektim të të drejtave të shqiptarëve.

Fjalimi

Në fjalën e tij të gjatë, kryeministri Rama hodhi idenë për krijimin e një aleancë strategjike mes dy vendeve, duke theksuar se kufiri mes dy vendeve i përket së shkuarës. Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë të shtetit amë, ndaj shteti bijë, por për fillimin e një aleance strategjike, themelore e kryesore mes të barabartësh të Shqipërisë me Kosovën, për t’i kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohës së re në sukses dhe zhvillim për qenien tonë të pandarë, në rrugën e bashkuar të Europës. Me sytë e të sotmes, kufirin mes dy shteteve tona nuk e shoh si sfidën për t’u kapërcyer, por si pjesë të një tërësie referencash botërore dhe historike me një hapësirë lirie dhe demokracie të qëndrueshme dhe kjo hapësirë nuk mund asesi të jetohet e ndarë për shkak të një vije të padukshme. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja s’ka kufi. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen, ka vetëm një gjë për të bërë me vijën e padukshme, të mos e shohim. Le të projektojmë bashkërisht të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës, përmes projektesh që nuk ndalen as te kufiri mes tyre, por as te kufijtë me fqinjët gjithashtu, u shpreh Rama.

Arsimi

Duke u ndalur tek arsimi, kryeministri Rama hodhi idenë për një unifikim të sistemit arsimor mes dy vendeve. Le të mos humbasim më kohë për të projektuar sistemin e unifikuar të arsimimit, sipas standardeve më të larta të arsimimit bashkëkohor dhe në funksion të zhvillimit dhe së ardhmes, sepse skeçi propagandistik i çdo vjeshte që Tirana vinte në skenë në Prishtinë për abetaren e përbashkët duhet t’ia lerë vendin punën së përbashkët shumë serioze për një sistem të përbashkët serioz arsimor, deklaroi Rama. Duke ju referuar probleme të hasur së fundmi në doganat mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm për të realizuar një bashkim doganor mes dy vendeve. Ne do t’i japim fund ‘patate-fobisë’ nga ana jonë, e cila ka shkaktuar në kufi luftra doganore sa të dëmshme aq edhe qesharake mes nesh, prandaj ne jemi të gatshëm të realizojmë bashkimin doganor, u shpreh, kryeministri, Edi Rama.

Maqedonia

Në fjalimin e tij Rama nënvizoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar normalizimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve, sidomos pas marrëveshjes së 19 prillit, e cila siç u theksua disa herë ka shënuar fillimin e një epoke të re. Ai po kështu theksoi se qeveria e tij do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni. Gatishmëria jonë ka të bëjë me përpjekjet dhe punën tonë të përbashkët për të jetësuar një politikë të qartë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në rajon. Parësore janë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, rasti i të cilëve është shumë shqetësues, pasi nuk respektohen marrëveshjet e bëra në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Më tej është respekti për vetveten që ekziston tek ne si i pandashëm, me respektin e aleatëve strategjikë që na bën ti japim energji trajektimit të duhur edhe të çështjes çame, natyrisht sipas traktatit të miqësisë, nënvizoi Rama.

Fundi i fjalimit

Në fund të fjalimit në Parlamentin e Kosovës, Rama ka cituar shqiptarin  e madh, Faik Konica: E nderuar zonja Presidente, kryetar i Kuvend, kryeministër! Ju faleminderit për ftesën dhe me emocionin e papërshkrueshëm të qenit sot si kryeministër i Shqipërisë para jush të them ashtu siç e tha Faik Konica në fund të një takimi me shqiptarët në vitin 1921 Mbetem i juaji me besë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›