E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Ora News: Topi mbi palët, garant i Kushtetutës

Ndryshe nga mazhoranca që e zgjodhi vetë Bamir Topin dhe sot e konsideron një partiçkë në krye të presidencës , kreu i opozitës Edi Rama në një intervistë për RTV Ora News ka shprehur respekt ndaj Kreut të Shtetit, që sipas tij ka arritur të qëndrojë mbi palët, si garant për Kushtetutën.
Duke e vlerësuar si fisnikëri deklaratën e Presidentit , se nuk do të rikandidojë për të njëjtin post vitin e ardhshëm , Rama nuk komenton drejtëpërdrejtë opsionin e një partie të re nga Bamir Topi.
 

“Në mënyrë fisnike u deklarua i pa lidhur me asnjë interes për kandidimin e tij si president. Kjo mënyrë është shumë e respektueshme, që palët të zgjedhin kandidaturën pa pengesën e tij. I shpreh respekt Topit. Askush nuk e mohon dot se ai ishte mbi palët. Funksioni i tij është real, pavarësisht se u votua nga PD ai funksionoi si garant i Kushtetutës”-theksoi ai.
 

Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si proçes i cili i vuri vulën refuzimit të kandidatit, Rama tha se për Tiranën , komisioni i Venecias i dha të drejtë socialistëve për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke u shprehur se vlerësimi i tyre duhet të sanksionohet me ligj.
 

“Problemet e zgjedhjeve nisin nga lista e zgjedhësve tek deformimi i vullnetit të tyre deri tek numërimi. Në Tiranë u ligjërua shkelja e ligjit nga një Gjykatë e nënshtruar. Derisa Komisioni i Venecias thotë sanksiononi ligjin do të thotë se nuk ka qenë i sanksionuar. Parimi i numërimit të çdo vote nuk është i gabuar, por ndryshimi i rregullit të lojës pas mbarimit të saj është shkelje Kushtetute dhe ligjore.

Mënyra se si i jemi qasur këtij parimi nuk ka qenë korrekte”-tha Rama.
Në një analizë të vitit politik që lamë pas, Rama tha se faji për hapat e ngadaltë të Shqipërisë drejt integrimit bie vetëm mbi qeverinë. Ai iu rikthye dhe njëherë ngjarjes së 21 janarit, duke deklaruar se prokuroria po pengohet të zbulojë krimin e shtetit.

“ Për 21 janarin jemi larg drejtësisë, është rikonfirmuar mungesa e saj. Prokuroria është penguar nga dita e parë pasi nuk u dorëzua komanda. Prokuroria është lejuar vetëm të ndëshkojë qytetarët që qëlluan me gurë, ata që janë përgjegjës drejpërdrejt për krimin enden të lirë”-shtoi lidershipi i PS-së.
 

Kryetari i PS-së përjashtoi çdo mundësi për rikthimin në grupin parlamentar të deputetit Kastriot Islami pasi sipas tij ai sfidoi PS-në.
“ Partia Socialiste nuk mund të sfidohet nga askush. S`ka kthim pas. Përjashtimi i tij është çështje e mbylllur, çështje e vjetër”
 

Përballë gazetarit Patrik Sadikaj, për rreth 50 minuta Kreu i opozitës foli dhe për reformën zgjedhore , duke deklaruar se PS nuk mund të bëjë asgjë nëse PD vendos veton për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, ndërsa u ndal dhe tek program i ri politik i PS-së, që sipas tij i flet Shqipërisë reale.
 

“Ne jemi të gatshëm të gjejmë dakortësi me partitë e vogla për përfaqësim të drejtë. Dy partitë e mëdha kanë të drejtën e vetos, nëse PD e vendos veton nuk ndryshon sistemi, por ne do hapim kanalet e komunikimit me partitë e vogla sepse ne jemi gati të rishikojmë sistemin në funksionin e rritjes së proporcionalitetit.”-ka përfunduar Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›