“Liberalizimi i vizave, sfidë që do ta fitojmë në vitin 2010”

Intervistë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta
Prioriteti kryesor i Shqipërisë, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE. Këtë ka veçuar midis të tjerave si pikën më kryesore, në një intervistë të tij, Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Për të, politika e jashtme do të jetë politikë e fqinjësisë së mirë dhe e integrimit rajonal. Ai ka rikonfirmuar se Shqipëria do t’i japë mbështetje të fuqishme njohjes së mëtejshme të Kosovës, ndërsa thekson si të rëndësishme faktin që institucionet në Kosovë duhet të bashkëpunojnë me BE dhe EULEX
Cilat do të jenë prioritetet e politikës së jashtme, në dritën e marrëdhënieve të reja që Shqipëria ka me Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se në këtë legjislaturë të re, që sapo ka nisur, me një qeveri të re, ju jeni në krye të Ministrisë së Jashtme, një nga dikasteret më të rëndësishme, si në aspektin politik ashtu edhe kombëtar për Shqipërinë?
Prioriteti kryesor i politikës së jashtme, pas anëtarësimit të vendit në NATO, pa diskutim që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE, çka përbën njëkohësisht edhe një sfidë madhore, por edhe një proces i cili ka një sërë hapash, që së pari duhet të shoqërohen me progresin e reformave të brendshme, proces ky që duhet të mbështetet nga një politikë shumë aktive ndaj të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, por ajo çka është shumë e rëndësishme, edhe nga një politikë shumë aktive dhe bashkëpunuese me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e rajonit, pasi dihet që përqasja rajonale është një dimension i rëndësishëm i integrimit të çdo vendi. Kjo vlen më tepër për Shqipërinë, politika e të cilës ka shumë rëndësi për ecurinë e paqes, stabilitetit dhe të integrimit të të gjithë rajonit tonë, pra të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim unë besoj se do të vazhdojmë të ecim me bindje të palëkundur, sepse themeli i çdo suksesi të politikës së jashtme të Shqipërisë deri tani, ka qenë dhe mbetet politika e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal. Natyrisht që Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO-s, dhe kjo nuk do të thotë se angazhimet tona kanë përfunduar. Përkundrazi, ne ndjejmë më shumë detyrim dhe përgjegjësi për të kontribuar në të gjitha sfidat madhore që Aleanca ka, jo vetëm në rajonin e kontinentit tonë, por kudo në botë. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit, të Evropës dhe të Mesdheut. Në këtë drejtim unë jam i bindur se politika jonë e jashtme është një politikë shumë e qartë, është një politikë shumë konkrete, e cila pa asnjë diskutim do të vazhdojë të japë rezultate të prekshme dhe pozitive për vendin tonë dhe për qytetarët tanë. Nëse e shohim në një plan më afatshkurtër, padyshim që liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë më i rëndësishëm. Me kënaqësi konstatoj një progres shumë të ndjeshëm të Qeverisë dhe të gjithë institucioneve gjatë gjithë kësaj kohe si dhe një nivel shumë të lartë angazhimi. Unë besoj se kjo është një sfidë që të gjithë ne, së bashku me qytetarët shqiptarë do ta fitojmë gjatë vitit të ardhshëm.
Cilat do të jenë vendet që do të përbëjnë në një farë mënyre pjesën më të rëndësishme diplomatike, strategjike me Shqipërinë, duke pasur parasysh, se ju vetë e cilësuat rajonin si bllokun e parë të këtyre vendeve, por duke pasur parasysh edhe proceset e tjera integruese të Shqipërisë me vendet e BE. Do të jenë Italia dhe Greqia për shkak të përqendrimit të madh të emigrantëve, apo do të ketë një diapazon më të gjerë marrëdhëniesh diplomatike?
Natyrisht që ne në politikën tonë të jashtme jemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha vendet në botë. Por duke qenë realistë, për peshën tonë, për atë që ne përfaqësojmë, natyrisht që prioritetet tona kryesohen dhe në radhë të parë kanë të bëjnë me vendet që janë më pranë Shqipërisë, me vendet që kanë më shumë interesa të drejtpërdrejta me paqen, sigurinë, stabilitetin në rajonin tonë, ku ndodhet edhe Shqipëria, por duke pasur edhe disa prioritete të veçanta.... Në çdo rast, prioriteti ynë themelor ka të bëjë me forcimin e rolit të Shqipërisë në rajonin tonë, si faktor paqeje, si faktor stabiliteti, si faktor tepër i rëndësishëm integrimi. Natyrisht, çdo përpjekje do të jetë në shërbim të anëtarësimit sa më të afërt të Shqipërisë në BE që nuk është vetëm një qëllim, por edhe një mjet për të sjellë standarde të reja në jetën e çdo qytetari shqiptar.
Ç’rol do të ketë diplomacia shqiptare, duke pasur parasysh se shteti i ri i Kosovës është një realitet i ri politik, por edhe se Shqipëria tashmë ka një rol të ri për ta ndihmuar Kosovën, në këtë proces?
Shqipëria do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e saj, për të përkrahur njohjen e mëtejshme të shtetit të ri të Kosovës. Jo thjesht dhe vetëm për arsyen se mbështesim një shtet të ri ku shqiptarët janë në një mazhorancë shumë të rëndësishme, por në radhë të parë sepse duke mbështetur njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ne ndihmojmë për të forcuar stabilitetin e rajonit tonë ku Kosova mbetet një element kyç. Natyrisht që bashkëpunimi ynë do të jetë i gjithanshëm dhe i orientuar gjithnjë në drejtim të mbështetjes së integrimit evropian të Kosovës. Për ne mbetet shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i udhëheqësve të Kosovës me Bashkimin Evropian, bashkëpunimi dhe koordinimi i tyre me EULEX-in, i cili pa asnjë diskutim është atje për të ndihmuar shtetin e ri të Kosovës, me qëllim që institucionet e reja, sidomos në fushën e ligjit dhe të sigurisë si dhe e drejta e minoriteteve, të konsolidohen dhe njëkohësisht t’i përafrohen standardeve evropiane, ku Kosova synon një ditë të bëjë pjesë së bashku me vendet e tjera të rajonit. Ne i kushtojmë shumë rëndësi të drejtave të minoritetit serb dhe të pakicave të tjera në Kosovë, sepse mendojmë që çështja e minoritetit nuk është çështje numerike, por është esenciale për të siguruar natyrën demokratike të këtij shteti të ri dhe evropian, që është shteti i ri i Kosovës. Ka të bëjë gjithashtu edhe me standardet evropiane, të cilat janë aq shumë të rëndësishme për të fituar mbështetjen e duhur të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në të ardhmen.