Rama në Sarandë: “Do të ngremë një shtet serioz dhe funksional”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar me të rinjtë e Rrjetit Vullnetar të Partisë Socialiste në qytetin e Sarandës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama ka akuzuar politikën e vjetër se për shkak të përplasjeve të vazhdueshme, për shkak të interesave të ngushta, ka dështuar të krijojë një shtet serioz dhe funksional në shërbim të qytetarëve. “Kjo fushatë është e juaja, e çdo shqiptari e shqiptareje që do të ndahet me të shkuarën dhe me shëmbëlltyrat e së shkuarës në politikë, pavarësisht flamujve që tundin e krahëve ku shfaqen. Njerëzve nuk u intereson pushteti, por rezultatet e qeverisjes. Në emër të së majtës e të së djathtës pushteti është ndërruar disa herë, kurse Shqipëria është përplasur majtas e djathtas pa mundur të gjejë ekuilibër e qetësi mbi themelet e një shteti serioz e funksional në shërbim të të gjithëve, që ende na mungon”, - tha Rama. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti ka dënuar demagogjinë e qeverisjes, e cila i bën jehonë rritjes së rrogave dhe pensioneve, ndërkohë, nga ana tjetër, shqiptarët jetojnë në kushte të vështira ekonomike. “Në këtë vend janë dy realitete krejt të ndryshme, atë që flet propaganda qeveritare dhe atë që është në realitet. Ju nuk arrini dot fundin e muajit, ndërsa paradoksalisht nga qeveria dëgjojmë rritje të rrogave apo pensioneve”, - vijoi kreu i PS-së. Edi Rama është shprehur i bindur në fitoren e 28 qershorit, e cila, u shpreh ai, do të vijë si rezultat i një bashkimi të ri qytetaresh e qytetarësh që janë lodhur nga balta e mllefi dhe duan të shohin rezultate të prekshme në drejtim të mirëqenies së tyre dhe familjeve të tyre: “Ne mund të bëjmë histori duke mos reshtur së ndezuri dritën e shpresës në zemra e mendje shqiptarësh e shqiptaresh të të gjitha moshave, krahinave, përkatësive politike, sepse për ne Shqipëria nuk është e ndarë mes grash e burrash, mes të vjetrish e të rinjsh, mes socialistësh e demokratësh, po e bashkuar në ëndrrën që 18 vjet më parë i nxori njerëzit në rrugë dhe sot kërkon rrugë për të dalë nga duart që e pengojnë të realizohet”, - tha Rama.
2 Mars 2009