E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida e Metës: “Nuk do të jem i pari në listën për kandidatë për Tiranën”

Kreu i LSI-së ripërsërit sfidën e zgjedhjeve të 2005-s, duke mos qenë i pari në listën e kandidatëve. Meta: Kundërshtarët tanë, Rama dhe Berisha, po frikësohen çdo ditë nga rritja e LSI-së në të gjithë Shqipërinë

Shaban Sulçe

Ashtu si zgjedhjet e vitit 2005, kreu i LSI-së, Ilir Meta, shmang privilegjin që të siguron posti i kryetarit të partisë për të qenë i pari në listën për zgjedhjet parlamentare. Edhe për zgjedhjet e 28 qershorit, Meta ka deklaruar se nuk do të jetë i pari në listën e kandidatëve të LSI-së për qarkun e Tiranës. Këtë deklaratë kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka bërë dje gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie. “Sepse vetë kryetari i LSI-së nuk ka qenë i pari në listën për deputetë në 2005-n, besoj se e mbani mend që nuk e kam pasur fare emrin në listën e partisë dhe as kam ndër mend të jem i pari në listën për deputetë edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse mendoj se LSI-ja është krijuar në funksion të qëllimeve shumë më të mëdha sesa për të garantuar Ilir Metën apo cilindo tjetër”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Duket se sfida e ish-kryeministrit është disaplanshe. Duke bërë një zgjedhje të tillë, Meta është përpjekur të tregojë që sfida e tij nuk është thjesht dhe vetëm mandati i deputetit. Nga ana tjetër, duke mos qenë i pari në listë në qarkun e Tiranës, një gjë e tillë mund të rezultojë inkurajuese për kandidatura të tjera të LSI-së në këtë qark, ku pritet afrimi i kandidaturave surprizë dhe të njohura në opinionin publik. Së treti, kjo zgjedhje e Metës tregon edhe sigurinë e tij, se LSI-ja hyn në garën për Tiranën për të fituar një numër të konsiderueshëm deputetësh, nga 32 mandate që do të jepen në këtë qark.
Akuzat ndaj Ramës

Më tej, gjatë fjalës në KDK, kreu i LSI-së shigjetoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të cilin tha se po përdor populizmin gjoja politik dhe shtetar si alibi për të justifikuar dështimin e tij. Meta tha se Rama është i frikësuar nga rritja e vazhdueshme e LSI-së në të gjithë Shqipërinë dhe e akuzoi atë se po përpiqet të joshë financiarisht anëtarët e LSI-së, siç ishte rasti i ish-kryetares së LSI-së së Shkodrës, Esmeralda Uruçi. “Kjo çoroditje e tyre, por edhe identiteti ynë gjithnjë edhe më i fortë, rritja e besimit që kanë njerëzit ndaj LSI-së, i detyron sekserët e kryetarit të PS-së që këdo përfaqësues të LSI-së që i del përpara, t’i premtojë leje ndërtimi dhe para kesh në dorë, pikërisht për të shtuar radhët e asaj që tashmë quhet koalicioni i Bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit. Ndaj neve nuk na vjen aspak keq për këtë rrugë që ata kanë zgjedhur, pasi i kemi paralajmëruar prej kohësh që rruga e kapjes është rruga e dështimit. Por, pa dyshim që nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për përdorimin e neveritshëm, të ndonjërit që më parë ka aderuar edhe në këtë forum të nderuar, sikurse është dhe rasti i znj. Uruçi. Kjo pa pikë turpi del në televizion dhe thotë që me Ilir Metën ndan pikëpamje të ndryshme. Ju e dini të gjithë që ajo ka qenë prej tre vitesh këtu si gjithë ju, dhe nuk besoj që keni dëgjuar ndonjë pikëpamje të ndryshme”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Akuzat ndaj Berishës

Më tej, gjatë fjalës së tij, Meta akuzoi qeverinë se me korrupsionin dhe paaftësinë e saj ka shkaktuar një varfëri dhe mjerim të thellë te shqiptarët. Kreu i LSI-së tha se në zgjedhjet e 28 qershorit, Sali Berisha dhe qeverisja e dështuar e tij do të largohen përfundimisht, pasi ata përbëjnë kosto të madhe për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Qeveria e Sali Berishës është një kosto e madhe për të sotmen dhe për të nesërmen e Shqipërisë. Këtë kosto nuk duhet ta paguajnë më shqiptarët dhe sidomos gjeneratat e ardhshme. Thellimi i deficitit tregtar, i borxhit të brendshëm, por edhe dështimet e qeverisë janë kosto që do të paguhen një ditë nga shqiptarët. Ndaj, me fitoren e 28 qershorit ne të gjithë do të kontribuojmë që këto kosto të ndalen së paguari për të ardhmen. Edhe aleatët tanë gjithnjë dhe më shumë po flasin hapur. Ata përherë edhe më shumë po e kuptojnë se gjatë vitit 2008 nuk ndodhi asnjë reformë në Shqipëri, por ndodhën vetëm shkatërrime të institucioneve duke nisur nga Kushtetuta dhe gjithë institucionet e Drejtësisë.
Kjo tregon edhe njëherë tjetër se largpamësia e LSI-së tashmë po certifikohet nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë”, - tha Meta, i cili shprehu bindjen për fitoren e LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që i ftoi edhe njëherë të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen protestës “Berisha ik!”, që do të organizojë LSI-ja më 15 mars.

PS-LSI, vijojnë replikat

Vijojnë replikat midis dy forcave kryesore të së majtës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shkak është bërë deklaratat e kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se është frikësuar nga rritja e LSI-së në të gjithë Shqipërinë dhe po përpiqet të blejë anëtarët e LSI-së, si në rastin e Esmeralda Uruçit. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, e cila tha: “Ilir Meta është kthyer në ministër i Sali Berishës që merret me opozitën. Ai bën sikur kërkon largimin e Berishës, por në fakt mes Berishës e bashkimit të ri opozitar ai ka zgjedhur Berishën”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së me anë të nënkryetares Erisa Xhixho, e cila tha: “I themi znj. Kodheli dhe zotit Rama që të lënë retorikat boshe dhe deklaratat bajate dhe të heqin dorë nga politika e re e pazareve dhe blerjeve”.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›