E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Selanik: Vota e emigrantëve imperativ për PS

SELANIK - Kryetari i PS Edi Rama zhvilloi një takim me shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në qytetin e Selanikut në Greqi, ku prezantoi librin e tij “Kurbani”. 

Ai shoqërohej nga sekretari për emigracionin dhe rininë në PS, Erion Veliaj, deputeti i PS në Elbasan, Taulant Balla dhe kreu i bashkisë së Korcës, Niko Peleshi.

“Libër për jetën time, për jetën e qytetit tim dhe shqiptarëve. Ky libër është e vërteta ime”, kështu e përshkroi Rama “Kurbanin”, libër ku sipas tij, gjithësecili mund të gjejë përgjigje për pyetjet që i kanë mbetur pezull. 

Rama tha se libri gjithashtu flet për ndasitë që ka krijuar politika në Shqipëri, ku njerëzit për të, paguajnë një cmim të lartë e të paarsyeshëm. “Ju jetoni e punoni në një vend demokratik si Greqia, ku forca dhe protestat e popullit shkaktojnë ndryshime politike”, tha kryetari i PS dhe sugjeroi se është koha që edhe në Shqipëri, politika të varet nga njerëzit dhe jo njerëzit nga politika. 

Më pas kreu socialist preku cështjen e pozicionit dhe rolit të emigrantëve shqiptarë. Ndërsa vlerësoi sakrificat dhe kontributin e pazëvendësueshëm të tyre, ai kritikoi faktin që shteti shqiptar, nuk ka bërë asgjë në 20 vjet për këtë kategori aq të madhe dhe të rëndësishme, sic janë emigrantët, pavarësisht rolit që ata luajnë në ekonominë vendase duke u bërë, sic i quajti, “aksionerë të rëndësishëm ekonomike”. “Eshtë e rëndësishme që emigrantët të jenë edhe aksionerë politikë”, tha kryetari i opozitës. 

Organizimi i emigrantëve për të votuar në Shqipëri, është një imperativ, sepse dita e votimit përcakton si do të jetë Shqipëria e nesërme. Programi i ri i PS ka një pjesë të rëndësishme për emigrantët dhe ky është vetëm hapi i parë”, pohoi Rama duke premtuar se së shpejti ky program do të prezantohet mes shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë. 

Në përgjigje të disa pyetjeve të bashkëbiseduesve të tij kryetari i opozitës sqaroi se PS ka konsumuar gjithë mjetet dhe mënyrat demokratike për të larguar qeverinë që ka pushtetin në Shqipëri. “Ilaci më i mirë është shtimi i energjive demokratike të vendit, që është një rrugë më e mundimshme, por më e shëndetshme”, tha Rama. “Shqipëria nuk mund të thyhet më dysh nga një konflikt, zgjidhja e të cilit kapërcen mjetet demokratike”, përfundoi ai. 

Në fund të mbrëmjes, Edi Rama dha autografe për librin e tij. 

Më pas ai zhvilloi një takim me kreun e bashkisë së Selanikut, Janis Butaris.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›