Buxheti 2012, Basha nis konsultimin me qytetarët e njësisë 5
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ashtu siç kishte premtuar ka nisur bisedimet me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2012, i cili parashikohet të jetë rreth 70 milionë dollarë. Ky proces ka nisur me banorët e Njësisë Bashkiake Nr.5 të kryeqytetit, për t’u zhvendosur më pas edhe në minibashkitë e tjera të Tiranës. Gjatë konsultimeve me të pranishmit, Basha ka theksuar se buxheti prej 70 milionë dollarësh do të ketë një shpërndarje të drejtë, duke u fokusuar në tri shtylla kryesore: punësim, cilësi e jetës dhe infrastrukturë. “Buxheti i përmbahet filozofisë së çdo qytetari. Qyteti fillon nga pragu i derës së secilit prej jush. Tri janë shtyllat kyçe në projektbuxhetin e 2012-ës për Bashkinë e Tiranës, punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura”, - tha Basha. Më tej, ai deklaroi se në vazhdim pritet të trefishohen investimet publike, ndërsa u ka premtuar qytetarëve të Njësisë 5, transparencë dhe shpërndarje të qartë të burimeve. Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka përfunduar hartimin e projektbuxhetit për vitin 2012. Por, para se ky dokument i rëndësishëm për kryeqytetin të dërgohet për miratim në këshillin bashkiak në datën 28 dhjetor, ai do të konsultohet me qytetarët e 11 minibashkive. Në funksion të punësimit, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin në kryeqytet, si dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit. Lidhur me investimet e mëdha në infrastrukturë, që do të mbështeten me fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, projektbuxheti parashikon rehabilitimin e shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimin e hapësirave të gjelbra, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ujësjellës-kanalizimet.