Policia e Vlorës: Vrasja e Konomit, detyrë kryesore më 2012
Zbardhja e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi është shpallur si sfida e policisë së Vlorës për vitin e ardhshëm. Gjatë analizës vjetore të punës së policisë është përmendur atentati me tritol i 9 shtatorit, i cili vazhdon të mbulohet nga misteri. Kreu i Policisë së Vlorës, Nazmi Kotarja tha se “një punë e mirë duhej bërë për zbulueshmërinë, por këtë vit janë katër vrasje të pazbuluara. Për t’u përmendur është fakti se gjatë këtij viti u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes ku mbeti i vrarë oficeri i policisë, Roland Lika. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ngjarjen e datës 9 shtator të këtij viti, ku në qytet u vra gjyqtari Konomi. Me gjithë angazhimin maksimal dhe punën voluminoze të bërë deri tani në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ende nuk është bërë e mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale. Kjo ngjarje mbetet një ndër detyrat kryesore të punës sonë në vazhdim”. Gjatë vitit 2011, në qarkun e Vlorës janë regjistruar për periudhën janar- nëntor 1365 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 61% e tyre. Krahasuar me vitin 2010, ka një rritje të veprave penale me 100 ngjarje më shumë, ndërkohë që raportohet një rritje e autorëve të evidentuar nga 815 një vit më parë, me 1074 të këtij viti. E.Haruni