E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër: Do kthejmë shtetin në fshat

Rama ka vazhduar turin e tij në kuadër të “Dialogut me Shqipërinë” për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ai është takuar me banorët e fshatit Mushan të komunës Dajç në Shkodër, ku ka deklaruar se do të rikthej shtetin në fshat. 

SHKODER- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka rrugëtuar drejt veriut të vendit ku ka bashkëbiseduar me banorë të fshatit Mushan të komunës Dajç. Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në këtë fshat kryesocialisti e ka quajtur të patolerueshme faktin që edhe pse tokat janë një pasuri për këto zona, përsëri varfëria, braktisa e punës me tokën janë fenomene çuditërisht të pranuara. Por Rama në këtë takim u ka bërë thirrje fermerëve të refuzojnë këtë gjendje ku qeveria me politikat e saj është bërë pengesë zhvillimi.
“Është e pamundur që ne të jetojmë dhe të pranojmë një qeverisje, e cila e ka braktisur fshatin, ka braktisur prodhimin, ka braktisur çdo hapësire ku shteti duhet të jetë prezent. Mungesa e prezencës së shtetit është një tradhti ndaj interesave të njerëzve që kanë votuar për ta pasur shtetin në krahë dhe jo për ta pasur shtetin kundër”, tha Rama.
Rama ka nënvizuar se politikat e reja qeverisëse të Partisë Socialiste do të kthejnë faqen e historisë së fshatit shqiptarë. Politikat e reja në Partinë Socialiste do të sjellin ndryshime në punën me tokën dhe në mbështetjen financiare që qeveria socialiste e pas 2009-ës do të japi për të gjithë ata që kanë zgjedhur të jetojnë me punën në bujqësi apo blegtori.
“Ne duam të rikthejmë shtetin dhe ti japim një kuptim të ri jetës në fshat, duke ndërtuar një bashkim të ri mes shtetit dhe bujqve e fermerëve shqiptarë”, u shpreh kreu i socialistëve Rama.
“Dialogu për bujqësinë” dhe zhvillimin rural në fshatin Mushan të komunës Dajç, ka vazhduar të mbledhë dhe të diskutoj me fermerët të gjithë vështirësitë që ata kanë sot si dhe në ç’mënyrë do të jenë format e financimit të bujqësisë nga qeverisja socialiste. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›