Rama në Slloveni, pjesë e panelit në Forumin Strategjik të Bled

Nis sot konferenca dyditore (28-29 gusht) ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bled-it që do të mbahet në Slloveni nën titullin “Solidariteti për sigurinë globale”.
Forumi Strategjik i Bled-it të këtij viti do të presë më shumë se 30 sesione paneli dhe mbi 200 folës. Në sesionin e panelit të sotëm të orës 14:30, liderët e Ballkanit do të kenë mundësi të flasin përreth një orë e 15 minuta.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë të vendeve të ndryshme.
Ndërsa në ditën e dytë të këtij forumi, në orën 17:45 do të jetë zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino ajo e cila do të flasë.
I pranishëm në Forumin dyditor, do të jetë edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajcak. Ky i fundit deklaroi se një ditë më parë (27 gusht), se në takimin e zhvilluar me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, se sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk janë zhdukur dhe se situata në veri të Kosovës është në krye të agjendës së tij.
Mbrëmjen e djeshme (27 gusht) u shtrua darka e mikpritjes për liderët që janë pjesë e këtij forumi, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit shtrëngoi duart me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për herë të parë pas përplasjeve që patën në distancë për situatën në veri të Kosovës.
Në darkën e mikëpritjes së kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, që i parapriu Forumit Strategjik të Bledit, morën pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic (Abazoviq), ai maqedonas, Dimitar Kovacevski, kryeministrja e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe ajo e Serbisë, Ana Brnabic (Bërnabiq).
Forumi Strategjik i Bledit, zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.
Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.
/rtsh.al/