“Rama nuk e njeh më realitetin e vendit”- Revolta e studentëve, Ben Andoni: Kryeministri ka humbur besimin e qytetarëve, protesta duhet të kthehet në lëvizje politike
Analisti Ben Andoni kritikoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po përballet me protestat, duke deklaruar se qeveria duhet të kishte reaguar që në ditët e para të tyre.

Në një intervistë për News24, ai u shpreh se pakënaqësia e të rinjve duhet të marrë një formë konkrete politike, dhe se ata kanë një mundësi për të sfiduar partitë tradicionale, të cilat, sipas tij, nuk po arrijnë të përfaqësojnë realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve.
“Po të ishin më të qartë politikisht dhe të kishin njerëz që do t’i organizonin, do të ishin realisht në një pozicion më të fortë përballë kryeministrit. Kjo lidhet edhe me pyetjen nëse protesta duhet të shndërrohet në një lëvizje politike. Pra, pothuajse duhet të lindë një lëvizje politike nga kjo protestë. Ajo duhet të kthehet në organizim politik. Pastaj, nëse duan ta mbajnë si lëvizje apo ta shndërrojnë në diçka tjetër, është zgjedhja e tyre.
Shqetësimi më i madh kombëtar, të cilin protestuesit duhet ta kuptojnë mirë, është se çdo ndryshim bëhet në Parlament. Dhe Parlamenti nuk mund të jetë pjesë e lojërave teatrale që po bën Partia Demokratike. Ne e dimë se një pjesë e protestuesve nuk i duan partitë ekzistuese. Nga ana tjetër, Partia Socialiste përpiqet të minimizojë gjithçka. Të dyja partitë janë larg realitetit shqiptar dhe këtë po ua tregojnë të rinjtë.”, theksoi ai.
Duke u ndalur te situata në bashkinë Tiranë, analisti vlerësoi se lëvizja studentore mund të shfrytëzojë momentin për të propozuar një përfaqësim të ri politik. Ai shtoi se Rama dhe njerëzit pranë tij nuk po tregojnë reflektimin e nevojshëm përballë pakënaqësisë qytetare.
“Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe kjo do të sjellë një narrativë krejt tjetër. Protesta duhet të kalojë në një stad të ri dhe të gjejë mënyrën se si kjo energji të bëhet pjesë e zgjedhjeve, duke ndërhyrë për herë të parë në procesin politik. Protesta ka një mundësi të madhe, sepse Bashkia e Tiranës është e papërfaqësuar në kuptimin e një përfaqësimi që të gëzojë besimin e protestuesve. Lëvizja studentore duhet ta shfrytëzojë këtë moment, nëse synon të vazhdojë përpara. Njerëzit kanë nevojë të shohin një figurë që i drejton dhe një person ose grup që tregon se si do ta administrojë qytetin. Sa i përket Ramës, mendoj se ai nuk e njeh më realitetin e vendit.”, shtoi ai.