E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nuk pranon as kritikat e ekspertëve për paketën fiskale: Grini sallatën e urrejtjes! Nesër e ka radhën Qeveria të flasë për buxhetin e 2027

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kritikat për paketën fiskale të vitit 2027, pas rezervave të shprehura nga Dhoma e Tregtisë dhe komuniteti i biznesit për ndryshimet e propozuara.

edi rama

Rama u është përgjigjur kritikave duke i cilësuar ato si pjesë të një debati të shoqëruar nga “urrejtja dhe padija”.

Ai thekson se buxheti i ardhshëm do të jetë i pari në historinë e vendit që kalon pragun e 10 miliardë eurove, ndërsa e cilësoi paketën si më ambiciozen për rishpërndarjen e rritjes ekonomike.

“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”, ka shkruar ai në “X”.

Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike🇦🇱👊🦅🇪🇺

— Edi Rama (@ediramaal) October 27, 2026

Çfarë parashikon paketa fiskale 2027?

Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon një sërë ndryshimesh në taksimin e konsumit, pagave dhe biznesit, me efekte të ndryshme për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Një nga masat kryesore është ulja e TVSH-së për produktet e shportës bazë nga 20% në 6%, duke përfshirë bukën, miellin, qumështin, vezët, vajin ushqimor, mishin, frutat dhe perimet e freskëta. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, kjo masë synon të ulë barrën fiskale me rreth 12.8 miliardë lekë, ose 140 milionë euro në vit.

Nga ana tjetër, shkalla standarde e TVSH-së për produktet dhe shërbimet e tjera parashikohet të rritet nga 20% në 21%, duke filluar nga 1 janari 2027. Gjithashtu, TVSH-ja për shërbimet e akomodimit në strukturat hoteliere, agroturizëm dhe hotelet me pesë yje me status special propozohet të rritet nga 6% në 10%.

Ndryshime parashikohen edhe për profesionistët e lirë dhe bizneset. Pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, një masë që, sipas përllogaritjeve të paraqitura, do të përfshijë rreth 17,516 biznese të tjera.

Për tatimin mbi pagat, pragu i aplikimit të normës 13% propozohet të rritet, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj parashikohet një normë e re tatimore prej 32%. Ndërkohë, tatimi mbi fitimin e korporatave propozohet të rritet nga 15% në 17%, ndërsa tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%.

Një tjetër ndryshim lidhet me sponsorizimet për sportin, artin dhe kulturën, të cilat propozohet të njihen si shpenzime të zbritshme deri në 3% të të ardhurave totale bruto të biznesit, nga 5% e fitimit para tatimit që parashikon legjislacioni aktual.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›