E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nuk ka me çfarë të kushtëzojë!

Henri Çili

Tryeza e Presidentit dështoi sikurse pritej për një arsye të thjeshtë. Rama vajti në tryezë me një kërkesë politike ultimative, për hapjen e ...kutive, e cila sado e drejtë të jetë, është politikisht e papërshtatshme për një negociatë në fushën e politikës. Ajo përfaqëson 100 për qind të kërkesave të njërës palë.
Shkurt, takimi i së shtunës la një përshtypje artificialiteti në të gjitha drejtimet. Situatën e mjafton për ta bërë plotësisht artificiale vetëm qëndrimi i opozitës, e cila shkon në tryezë me kërkesa maksimaliste, për më tepër nuk ka instrumentet e duhura për të bërë presionin e mjaftueshëm për të marrë rezultatin që kërkon. Janë të paktën katër arsye, pse Rama nuk mund ta kushtëzojë deri në fund tryezën, ndaj do të qe e udhës që në vend të një kompromisi që realizon 100 për qind të kërkesave, të negociojë një kompromis shpëtimtar për ta nxjerrë në radhë të parë opozitën nga impasi dhe për të tejkaluar bllokimin institucional parlamentar.
Arsyeja e parë pse Rama nuk mund ta kushtëzojë tryezën e Presidentit është fakti që kërcënimi i tij për protesta popullore masive, jo thjesht mbetet një potencial, por edhe sikur të bëhej fakt, sërish sistemi politik aktual mund të përballojë lehtësisht protesta masive, të cilat kanë për kauzë qendrore kërkesën për hapjen e kutive! Sado me probleme apo me standarde të mangëta qofshin zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë një padrejtësi esenciale, që ta bënte fituesin humbës e humbësin fitues, ndaj bojkoti i plotë dhe protestat masive janë vepra shumë më të mëdha sesa kauza që i mban ato në këmbë.
Asnjë tregues tjetër i jashtëm, i situatës ekonomike, i situatës sociale, kushtetuese apo e jetës institucionale nuk është në një shkallë të tillë, që bashkuar me protestat masive të jepte një krizë të rëndë për vendin. Këtë e mat më shumë se të gjithë Berisha, i cili do ta lërë kundërshtarin e tij në kushtet për ta bërë këtë provë, i bindur se ai do të dështojë me protestat masive.
Arsyeja e dytë pse Rama nuk mund ta kushtëzojë tryezën e Presidentit është fakti që situata në grupin e tij parlamentar është në limitet e vetpërmbajtjes, pasi një grup deputetësh kanë thënë publikisht se do të jenë në Parlament dhe një tjetër grup latent nuk do të rrezikonte të qëndronte më tej jashtë Parlamentit, jo se mandatet mund të digjen realisht nga ndokush, qoftë kjo dhe Kushtetuta apo Jozefina Topalli, por se qëndrimi jashtë Parlamentit e vështirëson në limit punën dhe jetën e shumë prej anëtarëve të grupit parlamentar të opozitës.
Arsyeja e tretë pse Rama nuk mund të kushtëzojë fort tryezën është prespektiva e afërt 12 mujore politike, ku atij i duhet të lërë mënjanë llogaritë e 28 qershorit dhe të fillojë të bëjë llogaritë e fushatës së ardhshme lokale për partinë e tij dhe opozitën, si dhe burimin kryesor të forcës së tij, pushtetin në Bashkinë e Tiranës. Rama nuk mund të vijojë ai vetë pafund rrugën jo- institucionale pasi fraksioni brenda partisë së tij, mund të ushqehej fort nga fakti që opozita zyrtare do të mbetej jashtë institucioneve dhe për logjikë, jashtë zgjedhjeve të ardhshme të pushtetit lokal. Bojkoti i zgjedhjeve të ardhshme lokale, mund të ishte kulmi i logjikës aktuale të bojkotit.
Arsyeja e katërt është fakti që komuniteti ndërkombëtar në rast më ekstrem, mund të bëjë presion përtej një pike ndaj një qeverie të ligjshme dhe me fitore të merituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndaj mbështetja ndërkombëtare e Ramës, jo vetëm nuk ka shans të rritet, por mund të bjerë ose të mbetet indiferente.
Ndaj tryeza është futur në impas dhe gjithçka tjetër është futur në impas për një arsye të vetme: Rama nuk ka mjetet e duhura të kushtetëzojë në raport me objektivin e tij maksimal, hapjen e kutive. Ndaj modifikimi i objektivit hap një hapësirë negocimi, ku opozita mund të fitonte realisht edhe standarde për zgjedhjet e ardhshme, edhe kufizimin e pushtetit të qeverisë nëpër institucionet që po bëhet i stërmadh, edhe të niste një kurs për rifitimin e besimin dhe shndërrimin në një alternative reale për 2013.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›