Tregtari denoncon letrën kërcënuese
TIRANE - Një tregtar ambulant në Kombinat të Tiranës, i cili njëkohësisht punon edhe në ndërtim, ka kallëzuar në Komisariatin nr.6 se, persona të panjohur i kanë futur poshtë derës një letër kërcënuese. Adil A, 51 vjeç, ka dorëzuar në komisariat letrën që ka gjetur në korridorin e apartamentit të tij, në katin e tretë të një pallati të ri, në rrugën “3 dëshmorët”. “Na sill hesapin, ose do marrësh veten në qafë!”. Ky është “ultimatumi” që është shprehur në letrën e futur poshtë derës në apartamentin e familjes së biznesmenit, të paktën sipas pretendimit të tij. Burime nga policia thanë se në momentin që 51-vjeçari Adil A ka bërë kallëzim, ka pretenduar se nuk i ka borxh askujt. Tregtari është shprehur se nuk ka konflikt me njeri, por edhe biznesi i vogël familjar që ka, me të cilin merret bashkëshortja, i jep të ardhura familjes vetëm sa për të jetuar. Sipas tij të gjithë personat që e njohin, e dinë që ai është thjesht një tregtar ambulant dhe për këtë arsye është detyruar që të punojë edhe në ndërtim. Burime nga policia thanë se pas këtij kallëzimi janë bërë të gjitha verifikimet e mundshme, në lidhje me Adil A, i cili nuk rezulton person me precedentë. Hetuesit ndërkohë dyshojnë se letra i drejtohet dikujt tjetër dhe vendosja e saj në shtëpinë e tregtarit mund të jetë një ngatërrim adrese. Policia është duke kryer një ekspertim grafik mbi shkrimin e letrës për të identifikuar autorët e saj. e.d