Reshjet, bllokohet nga dheu hekurudha
DURRES/ OERD ULQINI
Shkarjet e dheut bllokojnë përkohësisht transportin hekurudhor nga Durrësi në drejtim të lindjes dhe të jugut.
Mësohet se ka qenë ora 22:00 e së shtunës kur një “ortek” prej shkëmbi dhe balte është derdhur nga lartësia 50-60 metra mbi trasenë hekurudhore. Për fat të mirë në atë moment nuk kishte trafik hekurudhor, pasi treni i fundit i asaj linje (mallrash) kishte lëvizur nga lindja në drejtim të Durrësit vetëm 30 minuta përpara rrëshqitjes. Nga shkëputja e masivit të shkëmbit, linja hekurudhore ka pësuar dëmtime të mëdha dhe ndërkaq edhe një transformator energjie, i cili furnizon një pjesë të mirë të zonës turistike me korrent ka dalë jashtë funksioni. Sipas specialistëve të hekurudhës, të cilët mbërritën në vendngjarje, masivi shkëmbor ka rënë mbi trase, duke e dëmtuar atë në një gjatësi prej 70 metrash linear. Shtabi i emergjencës së qarkut të Durrësit, me në krye prefektin Genci Alizoti si dhe një ekip teknikësh nga Drejtoria e Hekurudhave ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa po punohet për largimin e masivit të dheut si dhe riparimin e trasesë hekurudhore. Punimet për pastrimin e hekurudhës nga masivi i dherave, ende nuk kanë përfunduar për shkak të pranisë së madhe të dherave, në një masë prej të paktën 400-500 metra kub. Rrëshqitjet e dherave kanë nisur me përkeqësimin e motit, duke shkaktuar problemet e para në transportin hekurudhor, ndërsa kanë paralizuar totalisht lëvizjen e trenave, si për pasagjerë, ashtu edhe për mallra. Po kështu, masivi i madh i dheut që është shembur nga “Shkëmbi i Kavajës” anash rrugës ka zënë aksin rrugor Golem-Plepa, duke mbajtur prej më shumë se 2 orë të bllokuar këtë pjesë të rrugës automobilistike. Ndërkohë burimet saktësuan se shkarje ka pësuar edhe rruga e Kodër-Vilës, në të cilën 13 shtëpi mbulohen nga balta. Situatë e rëndë paraqitet edhe në tre fshatra të Kavajës (komuna Synej) ku katër shtëpi janë bërë të pabanueshme nga shkarja e dheut. Për të zbardhur fakte të reja mbi këto rrëshqitje dhe gjetjen e formulës parandaluese në këtë zonë mes Kavajës dhe Durrësit ka mbërritur një ekspeditë, pjesëtarë të së cilës janë specialistë të gjeologjisë. Ata janë duke analizuar fenomenin, teksa dihet që këto shkarje janë provokuar edhe nga dora shkatërrimtare e njeriut, e cila në 20 vjet tranzicion vetëm ka prerë pemë, duke mos mbjellë asnjë rrënjë në këto anë.
Rrëshqet toka, rrezikohen banorët
Rikthehet problemi i rrëshqitjes së dherave si pasojë e reshjeve të shiut. Në fshatin Hysgjokaj të rrethit të Lushnjës dhe në Hekal të Mallakastrës janë evakuuar disa familje nga shtëpi që rrezikonin shembjen. Tetë banesa rrëshqitën në Hysgjokaj dhe gjashtë të tjera në Hekal. Sipas burimeve nga prefektura e Fierit, këto shtëpi kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, pas rrëshqitjes së tokës nën to. Në fshatin Hysgjokaj, rrëshqitja ka sjellë probleme edhe në bllokimin e disa akseve rrugore dhe ka dëmtuar puset e fshatit të ngritur nëpër banesa. Për pasojë, në të gjitha banesat e zonës së rrezikuar është ndjerë mungesa e ujit. Kjo situatë, si në Lushnjë dhe në Mallakastër ka vënë në lëvizje institucionet qendrore në nivel vendor. “Kemi gjendjen nën kontroll. Banorët, në të dyja zonat e prekura janë larguar tek të afërmit, ndërsa ne së bashku me nënprefekturën e Lushnjës do të marrim masat për të siguruar banorët, si për banim këto kohë, ashtu edhe për dëmshpërblimin e tyre”, u shpreh prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasaj. m.r