E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për "Vorio-Epirin", tre të plagosur në Janinë

 

Marko Caka/ ATHINE

Përleshje të dhunshme u shënuan në Janinë të Greqisë mes grupeve anarkiste dhe anëtarëve të grupit të ekstremit të djathtë "Krisi Avgji", të cilët po protestonin së bashku me disa minoritarë nga jugu i Shqipërisë për "Vorio Epirin". Bilanci i përleshjeve që kulmuan në orën 22:30 të mbrëmjes së shtunë, ishte të paktën me tre persona të plagosur, njëri prej të cilëve rëndë. Fashistët dhe vorio-epirotët ishin grumbulluar pranë Andriandës së Mbretit Pirro në qendër të Janinës kur u sulmuan me gurë dhe shkopinj nga grupi i majtistëve. Përleshjet vazhduan gjatë, duke detyruar policinë të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit nga të dy kampet si dhe për të ndaluar përplasjen e mëtejshme mes tyre. Ka qenë ora 22:30 e mbrëmjes, kur ekstremistët e djathtë të "Krisi Avgjisë", së bashku me organizatën e "Voripirotëve", po organizonin një tubim në monumentin e ri të Pirros në qendrën e Janinës. Gjatë kohës që ekstremistët po instalonin altoparlantët një grup anarkistësh të majtë, prej rreth 150 vetash u janë vërsulur duke i sharë me thirrje antifashiste. Brenda pak minutash grupi i ekstremistëve vorio-epirotë është zmadhuar duke i dhënë përmasa betejës. Gjatë asaj kohe të majtët të grumbulluar në protestë ndaj qeverisë janë bashkuar me forcat e pambrojtura dhe kanë nisur përleshjen me përkrahësit e Vorio-Epirit. Në tubimin e të majtëve hidheshin parulla: "Poshtë fashistët", "Jeni turpi i kombit" etj. Çdo gjë kishte nisur pasi të majtët ishin sinjalizuar për një tubim të ekstremistëve të djathtë në kujtim të mbretit Pirro, si një qëndrim antishqiptar dhe vorio-epirot. Madje sipas burimeve policore në këtë tubim merrnin pjesë dhe anëtarë të "Omonia"-s dhe të shoqatave të tjera vorio-epirote në kujtim të helenizmit grek në Shqipëri. Gjatë kohës që drejtuesit e tubimit ekstremist të djathtë po vendosnin kurora në monumentin e Epirit me nënshkrimin "Vorio-Epiri është grek" një grup prej anarkistëve të majtë i kanë sulmuar me thirrje antivorio-epirote dhe antifashiste. Në këtë moment përleshja ka filluar trup me trup dhe me mjete të forta, ndërsa kanë mbërritur në vendngjarje forcat e Policisë së Rendit, të cilët kanë shpërndarë turmën e përgjakur. Por sulmi ka vazhduar dhe me hedhje gurësh dhe sendesh metalike, duke sjellë dëme materiale në bizneset përreth dhe mjetet e parkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›