Rama nxjerr PS-në në ilegalitet
S’ka më shpresa për të marrë pushtetin me metoda të ligjshme. Mentorët e Edvinit, që nga Ramiz Alia e deri tek Saimir Tahiri i kërkojnë kreut të PS-së që të përpiqet për akte sabotazhi e vjedhje shaptilografësh, para se të vijë koha për sulme të reja nga fshatrat e Tiranës
Dje ishte edhe zyrtarizimi i politikës së nxjerrjes së Partisë Socialiste në ilegalitet. S’ka më dyshime, shpresat nuk janë më për zgjidhje insticionale, as rrugët e sheshet nuk dhanë ndonjë përfitim, kështu që përvoja e Gramoz Ruçit, Namik Dokles, Valentina Leskajt, etj, por më shumë shembulli i Ramiz Alisë dhe byroistëve të tjerë të ringjallur, ka sjellë vendimin e pakthyeshëm se PS-ja duhet të dalë në ilegalitet, të interesohet për fashiot e huaja, shaptilografët e shtetit, pasuritë e tjera që janë të shtetit e duhen përdorur për celulat e Pezës dhe të lumenjve të Qarkut të Tiranës. Përvoja e luftës partizane tashmë ka ardhur në rendin e ditës dhe hajnia kthehet në qendër të ilegalitetit, e vetmja formë që mund të mbijetojë Edvini dhe klani i tij politik.
Këto vendime politike – me sa duket finale – u shpallën dje tek Asambleja partiake, e cila i dha fund dje çdo dyshimi se mund të tërhiqej nga paralajmërimi i saj absurd, për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore. Edi Rama dhunon edhe njëherë përfaqësuesit e mendimit të lirë në PS, teksa dje, në mos përputhje me vullnetin e shumicës, vendosi një tjetër bojkot pas parlamentit, atë të zgjedhjeve të pjesshme vendore. Frika e një humbjeje të shumëfishtë që, do të shënonte përfundimisht skarcitetin politik të Edvinit, i imponon atij të veprojë nëpërmjet një akti të paprecedentë, të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme. Në kushtet kur Shqipëria ka më tepër nevojë për debat politik, për vullnet të përbashkët mazhorancë-opozitë, në mënyrën më të përsosur në sy të ndërkombëtarëve dhe realizimin e atyre objektivave që mbeten ende ëndërr si, liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në BE, Edi Rama, bën një tjetër hap kundër shqiptarëve dhe ambicieve të tyre, për t’u ndjerë të barabartë si të gjithë qytetarët e Evropës.
Gjatë punimeve me dyer të mbyllura të Asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste, e cila si gjithmonë edhe dje u kthye në një grazhd sherri dhe përplasjesh ndërmjet fraksioneve të PS-së, pakica e Edvinit dhe klika e tij fat-keqe, por që kanë instrumentalizuar partinë, vendosën një tjetër bojkot, atë të zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Ky vendim, në dukje i thjeshtë, por me përgjegjësi, ka pasoja të rënda, në radhë të parë për këtë forcë politike, e cila po prek fundin dhe në radhë të dytë, për imazhin politik të vendit, porsa kohë faktorët opozitarë në vend, nuk zgjedhin “duelin” politik, por hajdutërinë, fshehjen pas hijes së humbjeve. Dhe pikërisht kjo mungesë vullneti dhe kurajoje për t’u përballur denjësisht në elektorat dhe për të përfaqësuar me aq sa mund, simpatizantët e saj, Edi Rama dhe pinjollët e nomenklaturës komuniste, zgjedhin të dalin nga gara, zgjedhin të vetëviktimizohen, vetëm për një arsye, nga frika e një humbjeje të thellë, siç edhe ka ndodhur deri më sot, në të gjitha përballjet direkt PD-PS.
Kryesocialisti nuk bëri gjë tjetër dje, gjatë fjalës së tij në Asamble, përveç thirrjeve të tij kamikaze, duke kërcënuar se më 20 tetor, do të zbarkojë në Tiranë. Por, harron se, të gjithë këtë mesele të dështuar dhe tërësisht të paprecedentë, nuk po e mbështet askush.
As socialistët e trashëguar nga Partia e Punës, nuk po i shkojnë më pas mendjes Edvinit dhe pinjollëve 99-sha që, kanë zaptuar kryesinë e Partisë Socialiste.
Apeleve të tij, për marshim të egër rrugëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, nuk po u përgjigjet askush, veçse po shërbejë si momente komike, se si etja për pushtet dhe demagogjia antishqiptare transformon një lider të dështuar.
“Do të rikthehemi përsëri në Tiranë, me një manifestim më të madh dhe me një këmbëngulje akoma edhe më të madhe. Kërkojmë me forcë të drejtën tonë, plotësimin e kërkesave që janë elementare për një shtet ku funksion demokracia”, ishte grahma e Edi Ramës, i cili kërcënoi se në rast se kërkesat nuk merren parasysh, opozita do ta kërkojë me forcë të drejtën e saj, “kosto që do e paguajë Berisha”.
Madje, ai hodhi poshtë edhe thirrjet e faktorëve politikë në vend, veçanërisht të kryeministrit Berisha, se nuk do ta thyejë bojkotin.
“Berisha më kot na fton në Parlament. Nuk i hapim rrugë. Kush shqetësohet nga mungesa jonë në parlament, theksoj se boshllëkun nuk e mbush, por e fsheh prania jonë në Parlament”, tha Rama.
Duke renditur në sërë arsyesh se pse PS nuk pranon zgjedhjet, nga “kriminelët e liruar nga burgu e deri tek leximi i votës, Rama kërkoi që, zgjedhjet duhet të hetohen nga Parlamenti. Duhet të na jepet e drejta për të parë të vërtetën e kutive të votimit. Duam të shohim votën tonë. Ne nuk mund të jemi në Parlament për t’u bërë bashkëfajtor”, u shpreh ai, para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Në përfundim, ai përsëriti edhe njëherë apelin kamikaz, për përshkallëzim të protestave në të gjithë Shqipërinë.
Me këtë, Edvini fakton se, është i interesuar për një Shqipëri të destabilizuar politikisht dhe ligjërisht, në mënyrë që ai dhe bandat e tij gllabëruese të mbisundojnë në parcelizimin jo vetëm të Tiranës, të cilën e ka formalizuar tashmë bashkë me Dash Pezën dhe të tjerë deputet-ndërtues, por të të gjithë Shqipërisë, vetëm e vetëm që të tregojë dhëmbët e një lideri të egër, por, me ambicie të dështuar dhe filozofi, po ashtu të dështuar...