E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim kamikaz në Iran

Rritet sërish tensioni mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit pas sulmit kamikaz në provincën juglindore të Sistan-Baluchistan, në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, ku mbetën të vrarë 35 veta dhe u plagosën shumë të tjerë, mes të cilëve edhe shumë drejtues të lartë të Gardës Revolucionare vendase. Edhe pse Teherani ka akuzuar Uashingtonin për këtë ngjarje, Shtëpia e Bardhë i është përgjigjur menjëherë. Duke mohuar të ketë pasur gisht në të, ajo dënoi rëndë atentatin dhe akuzat e Teheranit. Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ia ka atribuuar sulmin "agjentëve të huaj", ndërsa kryetari i Parlamentit iranian, Ali Larijani, akuzoi hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kanë një përgjegjësi të madhe në atë çka ndodhi. Lajmet për përfshirjen e Uashingtonit në sulmin ku u vranë gjashtë oficerë të rangut të lartë të Pasdran (Gardës Revolucionare) janë "krejtësisht të rreme", ka nënvizuar nga ana e tij zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. "Dënojmë këtë akt terrorist dhe jemi shumë të trishtuar për humbjen e jetëve të pafajshme. Për më tepër, lajmet për përfshirjen e SHBA-së në këtë ngjarje janë krejtësisht të rreme", deklaroi Ian Kelly. Sulmi që ndodhi gjatë një takimi midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqësve fisnorë u mor përsipër nga grupi sunit Jundallah (ushtarët e Zotit). Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve, një person i veshur me një jelek me eksploziv hodhi veten në erë, duke vrarë kreun e batalionit "Al Qods" të Pasdaranëve iranianë, gjeneralin Nurali Shushtari, komandantin e Gardës së provincës së Sistan-Baluchestan, gjeneralin Mohammadzadeh, bashkë me një numër të madh pjesëtarësh të Gardës Revolucionare. "Bëhet fjalë për një krim të përgatitur nga agjentët e huaj", pati deklaruar Ahmadinexhad. Për këtë arsye, Presidenti tha se i dërgon Gjykatës Supreme dhe familjeve të viktimave "mesazhe ngushëllimi". Ai vazhdoi më tej duke thënë se "siguria e vazhdueshme në vend mund të arrihet vetëm me besimin mes popullit dhe qeverisë". Edhe kreu i Parlamentit vendas, Ali Larijani, ka konfirmuar fjalët e Presidentit Ahmadinexhad. "Sulmi është rezultat i veprimeve të amerikanëve", citon faqja zyrtare e televizionit shtetëror. "Mendojmë se atentatet terroriste derivojnë nga aksioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tregojnë për armiqësinë e tyre kundrejt nesh. Presidenti Barak Obama pati deklaruar se kërkon t‘i shtrijë dorën Iranit, por me këtë veprim u dogj vetë i pari. Populli iranian ka të drejtë të mos u besojë ndryshimeve të premtuara nga qeveria amerikane, që është kundër interesave të tyre", ka përfunduar ai. Pak para kësaj deklarate, edhe televizioni shtetëror në vend e ka ngritur gishtin kundër Britanisë së Madhe, duke e akuzuar Londrën se ishte direkt e përfshirë në ngjarje. Sulmi kamikaz u kushtoi jetën të paktën gjashtë zyrtarëve të lartë të Gardës Revolucionare. Vetë Pasdaranët, para Presidentit Ahmadinexhad dhe kreut të Parlamentit deklaruan se pas këtij sulmi qëndronin vendet armike që synojnë të prishin unitetin mes shiitëve dhe sunitëve në vend.

"Arroganca globale ka provokuar mercenarët që kanë kryer sulmin terrorist kundër Pasdaranëve dhe udhëheqësve etnikë lokalë", raportohej në televizionin shtetëror. Në gjuhën e regjimit iranian, "arroganca globale" është tregues i fuqive perëndimore e në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, Pasdaranët në komunikatën për shtyp theksojnë se "pa dyshim që është pjesë e strategjisë së të huajve dhe armiqve të regjimit dhe të revolucionit të minojnë unitetin mes shiitëve e sunitëve dhe për të treguar se Garda Revolucionare nuk është në gjendje të sigurojë qetësinë në këto provinca". Ky është atentati më i rëndë i ndodhur ndonjëherë ndaj oficerëve të rangut të lartë dhe Gardës. "Terroristët kalojnë kufirin nga vendet fqinje në Afganistan e Pakistan dhe u mbështetën nga Amerika e Britania. Provat tregojnë se ata kërkonin të prishnin imazhin e sistemit tonë në sytë e popullit dhe të destabilizonin pjesën lindore të vendit", tha përfaqësuesi i kësaj zone në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›