Asambleja e re me të njëjtën çorbë të prishur
Asambleja e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar dje vendimin e marrë në kryesinë e ditës së martë, në habitué e përhershme të restorant Xibraku, për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Nuk ka asgjë të re përpara diellit, të njëjtët fytyra me të njëjta qëndrime, që nuk do të thotë që të jenë domosdoshmërisht koherent me demokracinë. Ky vendim nuk është i reflektuar aq shumë sa duket në kronika televizive, se pasqyra e kamerës nën regjinë e PS-së sheh vetëm një fytyrë, gjithmonë e vrenjtur, makabre, tekno-terroriste e Edi Ramës, që pjell vetëm shterpëzime në distancë me mendimet e kundërta me të.
Afërmendsh ky konkluzion bojkoti vjen si pasojë e një konfuzioni patologjik të PS-së, parti e cila identifikohet sa në bahçen e selisë, po aq sa në restorante për të prodhuar një lloj politike që nuk mund të kapërdihet nga publiku i gjerë. Asambleja e sojit të restorant Xibrakut, ishte një asamble krejt funebre, një alibi pa diversione nga Rama show, një telegram urrejtje për shqiptarë; kuptohet vetiu përveç overdozës së përditshme të bojkotit të çdo mendimi ndryshe. Restorant i politikës se re, është një ndër vendet më të frekuentuara në Tiranë që prej 5 vjetësh ofron për klientët e mediave publike kuzhinën e vakët të mosarsyes, ku serviret nga një staf i specializuar në psikologji infantile dhe me metoda bashkëkohore të shërbimit e propagandimit të idesë së bojkotit.
Mirëpo syri i një historiani mund të krahasojë me sallonin e mbajtjes së Asamblesë së PS me sallën e Hofbrauhaus, me birrarinë ku lindi nukli i partisë naziste gjermane, në një vëzhgim më të imët të del se i ngjan më shumë birrarisë së Bürgerbräukeller ku vendos për Putsch e Mynihut, që deklaroi nisjen e revolucionit.
Ne fakt, kjo politika opozitare e sotme, gjatë ulje-ngritjeve 20-vjeçare që po zgjasin një tranzicion, ka një pikë-ndjekje që e ka të shoqëruar në mënyrë konstante. Ky detaj e ka emrin shkrirje mes asaj që quhet vlerë dhe antivlerë. Një fiksim i çuditshëm, shumë herë më shumë i pakuptueshëm sesa i kuptueshëm, pikërisht sepse ky detaj ka veshur më së miri ata që sot përfshihen në këtë klasë politike. Një makiavelizëm i pafund që duket sikur është lexuar më së miri nga liderët no-global.
Politika e sojit të xibrakut ka një forcë të brendshme që tërheq vëmendjet nga problemet e qeverisjes së Bashkive të mëdha. Problemi personal i Rames është i të qenit kryetar i një Bashkie, e aq më tepër i Tiranës, e konfronton atë me problemet e vendit. Pra dashje pa-dashje ai shihet si një bashkë-aksionar në stresin politik dhe njëkohësisht publik. Në shumë probleme sociale që kalon vendi, po të kemi parasysh se këto probleme janë të përqendruara kryesisht në Tiranë do të thotë se Edi Rama ka kuota të larta, për vet numrin e popullsisë, dhe ndërkohë ai është njëlloj në qendër të politikës së opozitës. Ndërsa debatet arlekine Ruci.vs.Lame që lëvizin neuronet pasqyrë për të krijuar diçka nga sajesa për të legjitimuar bojkotin me statut partie.
Menyja Blushi/Menyja Ben Blushit është e drejtë në parim pasi taktika no-global e Ramës duke shtypur butonin ESC nga sistemit politik i vendit, po e bën partinë socialiste një parti radikale tej mase ekstra-parlamentare, me guerrilje llafesh të formalizuara si ekskursione opozitare, ku diktohet kauza e humbur e liderit që ka abortuar çdo arsye. Divorci i Blushit nga kurora e Ramës është vetëm me fjalë, sepse frika e përjashtimit nga klubi no-global i PS e frenon në çdo hap të arsyeshëm politik. Qartësia e Blushit në analizën e ditës është e frikshme, madje kjo shihet kur deklaron se “Partia Socialiste do ta humbë durimin duke qëndruar jashtë parlamentit dhe arsyet për të qenë të pranishëm në Kuvend do të jenë shumë me të mëdha".