E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama organizon protesta rëre

24-12-2010 / Gazeta 55

Në panik nga ballafaqimi me organet e drejtësisë, për lidhjet me eksponentët e krimit të organizuar, opozita është e përqendruar në mbijetesën politike, prandaj edhe është zvogëluar vetëm në organizimin e protestave të thërrmuara. Dje u keqpërdorën ish-ushtarakët, ndërkohë që më vonë e kanë radhën pensionistët, partitë e vogla dhe organizatat e biznesit, si pjesë e skemës që do mbajë gjallë një kastë partiake që e ka vendin në ballafaqimet e prokurorisë

Sprova e parë e madhe e socialistëve në përballje me institucionet, për të përçuar mesazhin se ata janë në gjendje dhe kanë guximin t’i bllokojnë institucionet, mjaft që të mos i nënshtrohen provës elektorale të 2011-s dje është thërrmuar krejtësisht. E organizuar me establishmentin e ushtarakëve për të vijuar më tej në sallën e parlamentit me një grup deputetësh të marrë peng nga malavita, sprova ka rezultuar një protestë prej rëre, njëlloj si protestat e tetorit 2009, si palo-greva e urisë e majit 2010, ashtu si edhe banko-prova e protestave që Edvini riprovoi mbrëmjen e këtij viti. Kjo opozitë, me axhendën politike të përcaktuar, vetëm sipas midesë personale të Edvinit, është e detyruar të zvarritet në protesta rëre, të cilat nulifikohen me dallgën e parë politike. Dhe një dallgë jo e vogël ishte rigjallërimi i akuzave që vijnë nga jashtë, por edhe nga mediat për marrjen peng të opozitës prej krimit të organizuar. Pas përgjimeve në Itali për lidhjet me Aldo Baren, pas zbardhjes së telefonatave të fundit të nipit të tij në Tiranë, para se ai të arrestohej, e sidomos pas akuzave të Dritan Priftit e të Daut Kadriovskit, tashmë s’ka më qetësi në forcën politike të Edi Ramës e të Erion Braçes. Nuk kanë më nevojë për t’u mbrojtur nga akuzat që e klasifikojnë opozitën si një konsumatore droge, tashmë bëhet fjalë për ndërtimin e një segmenti politik që ka shërbyer si establishment i organizuar i klaneve që shpërndanin narkotikët në të gjithë rajonin. Paniku i këtyre dy protagonistëve të opozitës gjatë këtyre tre ditëve, takimet e dëshpëruara me presidentin e republikës dhe kryeprokuroren, apo edhe shpërthimi histerik i Braçes dje në Kuvend thërrmoi krejt protestën e ish-ushtarakëve të pororitur në hyrje të parlamentit. Ndryshon axhenda, prandaj edhe thërrmohet dëshira e Ngjelës, Ndokës dhe e ish-ushtarakëve për një “zulmë” ndaj shtetit.
Dallga e drejtësisë dhe loja me krimin e organizuar e ka rrezikuar seriozisht lidershipin e opozitës, prandaj edhe është mjaft e vështirë të kërkohet koherencë politike tek deputetë që sot nuk dinë ku kanë kohën e që nuk ndihen të sigurt për asgjë. Tashmë ka ardhur koha e ballafaqimeve dhe Erion Braçe e Edi Rama tregojnë se kanë frikë. E sa kohë të mos kenë guxim të shkojnë para organeve të drejtësisë e të përballen me akuzat për lidhje me malavitën, për raportet me Aldo Baren, Ginën, Dondollakun e Kadriovskin, ata rrjedhimisht kanë dënuar axhendën politike të opozitës që të kufizohet veç në protesta rëre... E rrjedhimisht, kjo opozitë nuk do të jetë një pasuri për Shqipërinë, as ndihmë në rrugën drejt integrimit në BE, por së paku mund të thuhet se është minimizuar si pengesë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›