Dallimi mes ekzekutivit dhe një opozite që fushatat antishqiptare i ka kthyer në axhendë politike
Të nderuar kolegë opozitarë! Së pari dua t’ju falënderoj gjerësisht për mundësinë që po na ofroni për të bërë dhe njëherë dallimin në mes nesh dhe jush, në kontributin për procesin e integrimit evropian të vendit dhe më duhet t’ju them gjithashtu se kërkesa juaj
për mocion që në rreshtat e parë të formulimit të tij të tij më ngjan si rrëfimi i një krimi të cilit e ke të vështirë t’i gjesh alibi, kur je vetë fajtori. Kontradikta në këtë mocion është e madhe dhe e dukshme, sepse ndërsa bëni fajtore qeverinë për statusin e kandidatit, sot ju shprehni shkruar vullnetin politik për zgjidhjen e krizës, duke thënë se tani, pra që sot, që ju do të filloni të impenjoheni politikisht, do t’i hapet rruga integrimit të vendit në BE. Sot angazhoheni te shpëtoni vendin, por harroni se për të shpëtuar të parët, jeni ju vetë. E vetmja gjë pozitive në mocionin tuaj është se duke premtuar ri-përfshirjen tuaj në politikë, keni pranuar mos-ushtrimin deri tani të rolit që ka një opozitë, duke pranuar kështu dhe përgjegjësinë tuaj politike për mungesën e gjatë në parlament dhe vendosjen e opozitës realisht, jashtë tij. Me këtë mocion sot ju pranoni se keni tentuar të pengoni me dashje procesin e integrimit të vendit dhe sot jeni të kënaqur. Nuk ia dolët me liberalizimin e vizave, por sfida që ju i bëtë institucioneve nga rruga, nuk ngeli pa lënë gjurmë, vendi nuk mori statusin e kandidatit. Kjo dhe vetëm kjo është arsyeja e vetme pse Shqipërisë nuk iu dha statusi i vendit kandidat, një situatë konfliktuale politike, e cila u frymëzua dhe u mbajt gjallë për 2 vjet rresht nga zgjedhja e rrugës dhe jo institucionit, ai alternativa e vetme e ushtrimit të politikës. Sigurisht që ora e shqiptarëve dhe e integrimit të vendit nuk ka ngelur asnjëherë, ndryshe nga ora juaj politike që për fat të keq, ngelet sa herë ka momente të rëndësishme për shqiptarët. Për të qenë më konkretë, sa të ndjeshëm
dhe kontribues jeni ju kolegë opozitarë në procesin e integrimit te vendit ne BE? Më 31 janar 2003 hapen zyrtarisht negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, negociatat të cilat si në asnjë vend tjetër, zgjatën 3 vjet sepse progres raporti i vitit 2004 citonte “Qeveria, vazhdimisht ka deklaruar se përparimi i Shqipërisë në Procesin e Stabilizimit-Asociimit është prioritet i saj. Megjithatë, veprimet e saj e kanë mbështetur këtë gjë. Pavarësisht përparimit të kryer gjatë negociatave të MSA-së në diskutimet rreth tekstit të marrëveshjes së ardhshme, shumë nga reformat e domosdoshme për të garantuar zbatimin e duhur të kësaj marrëveshjeje, nuk janë kryer”. Po në këtë raport thuhet “Çështje veçanërisht shqetësuese të cilat janë nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të qeverisë mbeten lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimi i duhur i legjislacionit dhe stabiliteti i administratës. Rezultatet nuk ishin ato që priteshin në fushat kyç të krimit të organizuar, korrupsionit, sistemit gjyqësor dhe reformës në administratën publike”. Ky raport dëshmon sërish pse negociatat zgjatën 3 vjet sepse citohet: “mjedisi që rrethon biznesin vazhdon megjithatë të jetë i vështirë, kryesisht për shkak të ndërprerjeve akoma të shumta të energjisë, infrastrukturave të dobëta, korrupsionit gjerësisht të përhapur, tregut të papërshtatshëm të tokës dhe pasurive të patundshme, kapaciteteve administrative të kufizuara dhe sigurisë ligjore të pamjaftueshme për kompanitë. Kjo gjendje ndikon negativisht për investimet dhe për funksionimin normal të ekonomisë së tregut të lirë”. Në progres-raportin e vitit 2005 thuhet: “Në përgjithësi, interesat afatmesme të Shqipërisë shpesh u sakrifikuan nga interesat e ngushta afatshkurtra politike dhe konsolidimi i kulturës demokratike është thelbësor për realizimin e reformave të nevojshme. Këtu e latë ju procesin e integrimit të vendit dhe reformave te parealizuara, me zgjedhje pa infrastrukture zgjedhore, me të meta serioze, thuhet në raport, me pa-aftësinë e administratës publike për të zbatuar detyrimet e integrimit, probleme shqetësuese, ku krimi dhe korrupsioni ishin një kërcënim serioz për vendin. Në raportin e vitit 2010 për të cilin ju keni marrë frymëzimin për të bërë këtë
mocion, sigurisht që thuhet se lufta kundër krimit është më e koordinuar, se në
luftën kundër krimit të organizuar janë marrë masa të rëndësishme, se administrata i ka zbatuar kënaqshëm detyrimet e MSA dhe ato të procesit të integrimit dhe se sot nuk ka pakica, qoftë dhe ato seksuale, të cilat të jenë të diskriminuara. Në raportin e vitit 2010 ju mund të lexoni citimin, Shqipëria përmbush gjerësisht kushtet e procesit të stabilizim asociimit. Të gjitha këto nuk ishin në kohën kur ju ndërpretë mandatin për të qeverisur vendin. Çfarë ndodhi në qershor të vitit 2006 dhe pse ky koment i juaj sot duket më shumë se qesharak: në qershor të vitit 2006, pas vullnetit të treguar nga qeveria Berisha
për plotësimin e detyrimeve, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit, bindi institucionet evropiane për një ndryshim të madh, u nënshkrua MSA. Ku ishit Ju? Me bilbila në gojë në sallë për ta fishkëllyer. Në vitin 2007, kur komisioneri Rehn do ta quante zbatimin e Marrëveshjes së Përkohshme si rast surprizë në rajon, ju do ta quanit papërgjegjshmëri të institucioneve shqiptare. Në çdo progres raport sa herë qe vendi ngjitej me pikë ne matricën e vlerësimeve të Komisionit Evropian, ju e zbrisnit atë me përkushtim politik e propagandë, atje ku vetëm ju do të donit të ishte. Pas zgjedhjeve te 2009, për të cilat asnjë hijezim negativ nuk ka as në raportin e 2010 , ju ishit në rrugë kur u mor vendimi për shqyrtimin e kërkesës sonë për anëtarësim, në rrugë kur u votua ligji anti-mafia, në rrugë kur u votua ligji për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështjet kriminale, në rrugë kur u votua ligji për policinë gjyqësore, u larguat nga parlamenti kur u hodh për votim ligji për gjykatën administrative, jeni larguar disa herë si në vitin 2005 ashtu dhe në vitin 2007 për ligjin e kufizimit të imunitetit, nuk keni qenë kur janë paraqitur ndryshimet e kodit penal për shpifjet, nuk keni qenë sa herë janë diskutuar ligje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me reformat e vendit në rrugën e integrimit të vendit në BE. Ju ishit në rrugë kur u dorëzua pyetësori, ishit në grevë kur u mor vendimi për liberalizimin e vizave ju ishin në protesta kur lobohej në Parlamentin Europian për rezolutën për Shqipërinë, përsëri në rrugë kur u mor vendimi nga Këshilli për liberalizimin e vizave, një ditë pas vendimit për liberalizimin e vizave për shqiptarët, dolët përsëri në rrugë. Ju keni refuzuar ligje të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme dhe jo pak herë keni vënë kushte të ndryshme nga ato të një dite më parë duke çoroditur jo vetëm mazhorancën dhe ndërkombëtarët, por duke lëkundur edhe intelektin e pjesëtarëve të grupit tuaj parlamentar. Çfarë thuhet për situatën ekonomike në raportin e vitit 2005 kur ju latë mandatin: “ekonomia shqiptare nuk ishte tërheqëse për investimet, krijimi i sipërmarrjeve të reja haste pengesa, procedurat për hapjen e biznesit ishin të panumërta, mungonte një kuadër ligjor për prokurimet”.
Sot, në raportin e vitit 2010 thuhet: “Shqipëria ka arritur një shkalle të qëndrueshme stabiliteti makroekonomik sa për të lejuar operatorët ekonomikë të marrin vendime në një klimë të parashikueshme biznesi. Politikat makroekonomike në vitet e fundit ka qenë të përshtatshme, duke siguruar ritme të rritjes më tepër se 5% dhe aktiviteti, edhe pse i ngadalshëm, ka mbetur pozitiv në 2009 pavarësisht nga kriza. Inflacioni ka mbetur i ulët. Bashkëveprimi i lirë i forcave të tregut është zhvilluar përmes privatizimit. Çmimet dhe tregtia janë liberalizuar. I dukshëm progresi që është arritur në lehtësimin e hyrjes në treg. Sistemi bankar është zgjeruar me shpejtësi si rezultat i privatizimit dhe hyrjes të lojtarëve të huaj. Pjesa e tregtisë dhe të integrimit të investimeve me BE-në mbeti i lartë. Çfarë thuhet në raportin e vitit 2005 kur ju e stopuat përpjekjen tuaj, po e quaj përpjekje, për integrimin e vendit përsa i përket gjyqësorit shqiptar: thuhet se infrastruktura e gjyqësorit në Shqipëri mbetet e mangët, pavarësisht se ishte hartuar një plan-veprimi për Gjyqësorin, thuhet se të drejtat e njeriut nuk ishin në minimumin e standardeve evropiane, ku Shqipëria duhet të siguronte një zbatim më të mirë të ligjit dhe kriminelët lëviznin lirshëm nëpër rrugë, thuhet se kushtet për të burgosurit nuk ishin as minimale. Çfarë thuhet në raportin e vitit 2010: Sigurisht që me problematikat e sistemit gjyqësor, Shqipëria ka ndërmarrë reforma që kanë përmirësuar dukshëm infrastrukturën në gjyqësor dhe hartimin e legjislacionit të harmonizuar me standardet evropiane, thuhet se kuadri institucional i të drejtave të njeriut është përforcuar, nuk ka më problematika me shkeljen e të drejtave të njeriut, thuhet se sistemi i burgjeve është përmirësuar djeshëm që nga kalimi i varësisë nga ministria e brendshme tek ministria e drejtësisë. Ndryshe nga ju, ne angazhimin tonë e kemi ne reforma, ne arritje, ne hapa konkretë. Gjatë qeverisjes tonë kanë ndodhur ngjarje madhore, zhvillime me peshë historike, janë marrë vendime të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejtë me fatet e vendit dhe me ndikim të madh në jetën e qytetarëve.
Këto janë faktet, ngjarjet, realizimet, nuk janë rezoluta në letër, janë dëshmi e vullnetit të kësaj qeveria për ta çuar përpara procesin e integrimit. Procesi i integrimit të vendit është një proces performance dhe jo një proces shterues, ky është vizioni ynë, por në zgjedhje, pas zgjedhjeve, para zgjedhjeve të tjera, ne kemi kohë që ndahemi bashkë jo për ideologji e, por në moralin politik. Kjo ishte risia e politikës suaj të re. Zhurmë, zhurmë, dhe vetëm zhurmë. Ju e keni kthyer lutjen për dështimin e procesit të integrimit evropian të vendit, në imperativë politike. Punoni për këtë qëllim, shpifni me këtë motiv, hidhëroheni kur s’ju ecën në këtë qellim. Po të ishit seriozë nuk do të ishte nevoja që detyrimet tuaja t’ua kujtojnë rezolutat apo mocionet; detyrimet tuaja politike janë të konturuara nga qytetarët që ju kanë votuar. Përfaqësimi i tyre me dinjitet, është jo vetëm bonus për karrierën tuaja politike, por me rëndësi të madhe për vendin dhe proceset integruese. Shpresoj që shqetësimi juaj i këtij fund-viti për situatën politike të jetë i vërtetë dhe të mos marrë
konotacionin e larjes së gojës siç bëri kryetari juaj me letrën që i çoi Presidentit Barroso, ku i kërkonte liberalizimin e vizave, pasi vendimi ishte marrë.
Fjala e ministres së Integrimit Evropian, dje gjatë seancës parlamentare të mocionit me debat kërkuar nga grupi parlamentar i PS-së