Rama padi penale Berishës për shpifje
“Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, kallëzoj me anën e këtij akti shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi në mënyrë të përsëritur dhe botërisht ka konsumuar, në dëmin tim, veprat penale të shpifjes për shkak të detyrës dhe të fyerjes për shkak të detyrës si Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, parashikuar përkatësisht nga nenet 240/2 dhe 239/2 të Kodit Penal”, thuhet në kallëzim. Më tej, kreu socialist, njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përmendur në deklaratën e tij të gjitha fjalimet e Berishës në Parlament adresuar Ramës, ku përmenden akuza të ndryshme, deri tek ato personale. Sipas deklaratës së kallëzimit penal, Berisha ka konsumuar veprën penale “shpifje ndaj detyrës”.Rama thekson se thëniet e Berishës janë shpifje dhe që i drejtohen atij në mënyrë të qëllimshme. Kallëzimi penal drejtuar Prokurores së Përgjithshme, është dorëzuar pasditen e djeshme nga dy avokatë, Arjan Salati dhe Eno Bushi.