Pas Vaçe Zelës jam vetë

Në "Edicion special muzikor" të Ministrisë së Kulturës i filluar me albumin e Vaçe Zelës, botohet një i dytë. I përket një nëpunësi të ministrisë, Gazmend Mullahi. I financuar me para publike, emri i MTKRS nuk figuron
Deklarata nuk është dhënë nga personi i historisë së mëposhtme dhe deri-diku ka lidhje me Vaçe Zelën, me përdorimin e emrit të saj.
Është hedhur në qarkullim një album me këngë të zgjedhura në vite të kompozitorit Gazmend Mullahi. Quhet "Qiellit i flas".
Është "Edicion special muzikor". Në mbulesën e albumit janë shënuar falënderime për kolegë, teknikë, orkestrues e masterizues që kanë ndihmuar për këtë punë. Nuk shënohet ku është prodhuar dhe kush e financon albumin. Dimë se "Edicion special muzikor" është projekt i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të mbështetur krijimtarinë më të mirë të kompozitorëve shqiptarë.
U nis në mars me Veça Zelën. Me këtë punë ishte ngarkuar Gazmend Mullahi sepse ai është nëpunës i kësaj ministrie! Është Përgjegjës i Sektorit Arteve pranë Drejtorisë së Arteve dhe Letrave në MTKRS!
Lajmi për hedhjen në qarkullim të albumit erdhi, ka një çikë kohë, nga zyra e shtypit të ministrisë. I pajisur me një shënim kritik nga kolegu i zyrës, Drejtori i Librit në MTKRS: "Para pak ditësh doli në treg albumi me këngë të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit të mirënjohur të muzikës së lehtë shqiptare Gazmend Mullahi "Qiellit i flas".
Muzika e lehtë shqiptare nuk mund të duket e plotë pa muzikën e Mullahit dhe anasjelltas, Gazmendi si temperament dhe karakter njerëzor nuk mund të mendohet dot pa muzikën", thuhet në shënimin e drejtorit për vartësin e tij.
Përmban opinione të Edmond Zhulalit, Bardhyl Londos, Zhuljana Jorganxhiut, Shpëtim Saraçit, Ardit Gjebresë apo të Vaçe Zelës e cila ka thënë: "Këngët e Gazmendit i ndjej se janë të vërteta, ato jo vetëm që më pëlqejnë por do i këndoja me dashuri si vetë ato."
Kur prillin e shkuar zoti Mullahi e prezantoi në faqet e gazetës "Shekulli" albumin e parë të Zelës, e bëri këtë nga pozitat e njeriut të ministrisë i ngarkuar me iniciativën e mbledhjes së vlerave si ato që Zela ka lënë. "Me Vaçe Zelën fillojmë, sepse duam ta vazhdojmë edhe për artistë të tjerë, këngëtarë, kompozitorë. Vaçja hapi siparin e një pune të tillë..." ka thënë ai.
Siç shihet radhën e të dytit e ka zënë zëdhënësi i këtij misioni për kulturën kombëtare!
Por përse emri i ministrisë nuk është shënuar gjëkundi?
Burimet të MTKRS që kanë frikë të identifikohen pohuan se "albumi është bërë me financime të ministrisë së Kulturës dhe emri i saj nuk është vendosur aty për të fshirë gjurmët" e kësaj që rezulton konflikt i pastër interesi.
Albumi i "Nderit të Kombit", Vaçe Zela, u shpërnda dhuratë, nuk u hodh në qarkullim për shitje. Ishte ideja e Mullahit. Në Shqipëri nuk është prezantuar ende.
Diçka ndodhi në muajin maj, në Bazel ku jeton këngëtarja. Shkoi stafi i ministrisë dhe ia bëri surprizë albumin "Larg dhe pranë njerëzve". Media në Tiranë u njoftua me postë elektronike për vizitën e grupit të MTKRS kryesuar nga një zëvendësministër, për letrën që u lexua në emër të kryeministrit. Këngëtarja nuk shfaqej në fotot e ceremonisë, por pritja e ngrohtë me flamur e të vëllait, Hysni Zela.
Kështu pra albumin e këngëtares shqiptare të shekullit nuk e gjen gjëkundi. A thua nga droja mos Vaçja bënte hije më shumë se kaq? Sepse zotëria që i flet qiellit të vetin e ka hedhur në qarkullim, dhe prej tij mund të vjelë të ardhura që jep çdo produkt në treg.
******************
Gjithmonë dhe sërish "Dolce Vita"
Anita Ekberg tepër bionde, në mes të fotografëve. Claudia Cardinale me lëkurë të bronztë pas xhirimit të "Gatopardit", në një bisedë të gëzueshme me Burt Lancaster dhe Alain Delon.
E pastaj Charton Eston me "Vespa", Clack Gable teksa i puth dorën një zonje, Audrey Hepburn mbërrin në Çampino. Arkivi Luce ka zgjedhur 100 imazhe ndër të më bukurat dhe më të famshmet për ekspozitën "La Dolce Vita. 1950-1960. Stars and Celebrities in the Italian Fifties", në Romë, 4 gusht-14 nëntor 2010, përbri 100 revistave të ilustruara të epokës.
Një udhëtim në Romën e Fellinit, ku aktore dhe aktorë pozonin si yje në Via Veneto dhe në Gran Hotel, duke i treguar botës një magji që kinemaja, ndoshta, e ka humbur.
1959, Romë. Anita Ekberg me Shubert, rrobaqepësi i yjeve të kinemasë, në Pallatin e Kongreseve për çmimin "Maska e Argjendtë"