E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, tur nga Skrapari në Berat: “Do të zhvilloj turizmin në të dyja qytetet”

Kreu i PD-së premton rritjen e investimeve gjatë mandatit të dytë. Zhvillimi i infrastrukturës rrugore, prioritet për Partinë Demokratike

Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar se prioritet gjatë mandatit të dytë do të jetë zhvillimi i turizmit në qytetin e Skraparit dhe atë të Beratit. Gjatë turit të tij elektoral kreu i qeverisë është ndalur dje në dy qytetet ku ka zhvilluar takime elektorale me banorët. Gjatë fjalës së tij Berisha ka premtuar rritjen e investimeve, zhvillimin e infrastrukturës, garantimin 24 orë ujë të pijshëm si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Veçanërisht kreu i qeverisë është ndalur në prioritetin e mandatit të dytë, që do të jetë zhvillimi turistik i këtyre dy qyteteve.
Premtimet
“Kam ardhur këtu për t’u zotuar para jush se në këtë rreth me pasuri të mëdha, i cili ka një ndër pasuritë më përrallore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Baba Tomorin, do të ndërtojmë së bashku Skraparin turistik. Unë ju jap fjalën se do të kërkoj drejt tij, në Bogovë dhe në të gjitha drejtimet e tjera infrastrukturën më moderne, sikundër do të përfundojmë në një kohë sa më të shkurtër asfaltimin e rrugës së kanioneve, të cilat janë një dokument mahnitës natyror i Skraparit dhe mbarë Shqipërisë”, - është shprehur Berisha. Më tej ai shtoi se do të asfaltojë rrugët lidhëse të fshatrave me qytetin dhe do të furnizojë çdo familje 24 orë me ujë të pijshëm.
“Qytetarë të Skraparit, kam ardhur tek ju për t’u zotuar se çdo komunë e këtij rrethi do të lidhet me këtë qendër me rrugë të asfaltuara, çdo fshat i çdo komune do të lidhet me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuara. Unë ju garantoj ju fermerëve të Skraparit se nuk do të jeni më kurrë rrethi i fundit përsa u përket akseve rrugore dhe unë ju garantoj se cilido që të jetë çmimi i tyre, ne do t’i bëjmë ato. Së bashku do të bëjmë që rakia juaj të tejkalojë të gjitha pijet e forta. Të mirat tona le t’i ndajmë me të gjithë botën, ndaj unë u garantoj edhe njëherë të gjithë fermerëve të Skraparit se do të subvencionojmë çdo rrënjë hardhi apo vresht që ata do të mbjellin në tokat e tyre”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Përurimet
Më pas kryeministri Berisha ka marrë pjesë në përurimin e rrugës hyrëse në qytetin e Beratit, ndërsa është ndalur dhe ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e këtij qyteti. “Vij këtu t’ju premtoj se në 4 vitet që vijnë qeveria do të shumëfishojë investimet në këtë qytet, qytet i cili mahnit çdo vizitor, do të sistemojmë çdo rrugë e rrugicë të tij, do të ndërtojmë një bulevard madhështor në anën tjetër të urës, në lagjen ‘Goricë’, do të ndërtojmë një bulevard me lulishte që lidh rrugën kryesore të qytetit me urën e re që ndërtuam. Berati i katër viteve që vijnë do të jetë Berati i potencialit të jashtëzakonshëm turistik, do të jetë Berati që do të mirëpresë qindra e mijëra turistë nga mbarë Europa dhe bota, do t’u paraqesë atyre visaret e çmuara të trashëgimisë së tij kulturore, por edhe bukurinë mahnitëse të Tomorit dhe të zonave të tjera turistike”, - është shprehur Berisha.

Berisha përuron “Bulevardin blu” në Kamzë

Gjatë ditës së djeshme Berisha përuroi një seri objektesh infrastrukturore në bashkinë e Kamzës, përurime që, sipas tij, janë në përputhje me zotimin e qeverisë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Fillimisht, kryeministri Berisha përuroi “Bulevardin blu”, me gjatësi 3 kilometra, 26 metra i gjerë dhe me vlerë mbi 500 milionë lekë. Më pas kryeministri përuroi rrugën "Skënderbeu", me gjatësi 1 kilometër, 16 metra e gjerë dhe me vlerë 92 milionë lekë, si dhe rrugën "NATO", me gjatësi 1 kilometër, 14 metra e gjerë, me vlerë 66 milionë lekë. Kryeministri Berisha përuroi gjithashtu fillimin e punimeve në rrugën “Çekrez”, me gjatësi 1.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra, një investim mbi 185 milionë lekë, si dhe fillimin e punimeve të Pallatit të Kulturës në këtë bashki, me vlerë 184 milionë lekë. Më pas, kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorët e Kamzës, ku i ftoi të gjithë ata, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohen dhe të votojnë më 28 qershor për Kamzën europiane dhe për Shqipërinë europiane.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›