Rama për barazinë gjinore: 50 për qind gra këshilltare në bashki dhe komuna
Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në jetën publike ishin në fokusin e një konference që PS organizoi në qytetin e Shkodrës në vijim të prezantimit të kapitujve të programit për një Rilindje shqiptare.
Kreu PS Rama apeloi për hapjen e një rruge të re ku përmes politikave të reja të barazisë gjinore të rritet roli dhe pjesëmarrja e gruas në politikën aktive, si në parlament, ashtu edhe në qeverisjen vendore, përfshi administratën publike dhe që kjo të bëhet realitet Rama ndërmori një angazhim konkret.
Jemi të bindur se ka ardhur koha për të marrë një angazhim konkret, 50 % gra këshilltare në bashki dhe komuna. Eksperienca e ka provuar që funksionon dhe funksionon shumë mirë. Në marrjen në punë në shërbimin publik të grave dhe vajzave të mos ketë diskriminim. Të shtojmë numrin e grave dhe vajzave në përfaqësim, në administratën publike, të nxisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sipërmarrje dhe të ndërtojmë një politikë të posaçme për të luftuar papunësinë femërore. Për ne do të jetë një nga objektivat kryesore të mirëqeverisjes pas 23 qershorit, tha Rama.
Kreu i PS u angazhua se ulja e papunësisë së vajzave dhe grave do të jetë një prioritet i mirëqeverisjes pas 23 qershorit, përfshi dhënien fund të festave dhe mitingjeve të organizuara, siç theksoi ai, me pahir me ata që janë të punësuar në shtet.
23 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama për barazinë gjinore: 50 për qind gra këshilltare në bashki dhe komuna burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email