Një vit nga agresioni rus ndaj Ukrainës/ Xhaçka në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB: Mbështesim rezolutën për paqe

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në sesionin urgjent mbi 1 vjetorin e sulmit rus në Ukrainë, u shpreh se kjo luftë ka pasur pasoja dramatike për të gjithë botën. Xhaçka deklaroi se agresioni, sipas saj i paligjshëm, është dënuar me vota dërrmuese përmes një sërë rezolutash nga OKB. Sipas saj, pasojat do të ishin edhe më të mëdha nëse Rusia do të ishte lejuar që të mbizotëronte në këtë konflikt.
“Ishte një pushtim i paprovokuar, i paligjshëm, pushtim kriminal i një vendi. Ishte mbi të gjitha një akt sulmi që shkelte qartë Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Një akt që u dënua në mënyrë të qartë, dhe me vota dërrmuese përmes një sërë rezolutash nga kjo Asamble. Gjatë vitit të kaluar, nuk është vetëm vlerësimi ynë i aftësive ushtarake të ushtrisë ruse që është ndryshuar. Brutaliteti i kësaj force është bërë i dukshëm për të gjithë. Krimet e luftës që ka kryer në Ukrainë gjatë vitit të kaluar, bombardimet pa kriter të qyteteve dhe qytezave të tëra, përdhunimet, ekzekutimet, mobilizimi masiv i të dënuarve dhe mercenarëve, janë ndoshta akuza më e mirë ndaj natyrës së vërtetë të luftës së Rusisë. Kjo luftë ka patur pasoja dramatike për të gjithë botën. Por unë po i parashtroj të gjithëve në këtë Asamble, se ajo që kemi parë deri më tani, është asgjë në krahasim me atë që do të shihnim, nëse Rusia do të lejohej të dominonte në këtë konflikt’, tha Xhaçka.
Ministja theksoi mbështetjen plotësisht të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për paqe në Ukrainë.
“Shqipëria mbështet plotësisht rezolutën “Parimet e Kartës së OKB-së që qëndrojnë në themel të një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”. Kjo është arsyeja se pse ne besojmë se kjo Asamble duhet të votojë në mbështetje të kësaj rezolute dhe të bëjë të qartë mbështetjen për një paqe të drejtë në Ukrainë në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, e cila duhet të garantojë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, që shtrihen në ujërat e saj territoriale”, theksoi ministrja.
Një vit më parë, Shqipëria luajti një rol aktiv në KS sa i takon agresionit rus në Ukrainë ndësa u rendit si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për llogaridhënien e Rusisë mbi krimet në Ukrainë.
Më 24 shkurt 2022, Rusia pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të konfliktit ruso-ukrainase , e cila filloi në vitin 2014. Pushtimi ka shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja anët dhe ka nxitur krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Reagimi i Perëndimit ka qenë i menjëheshëm, duke dënuar pushtimin, teksa SHBA dhe BE vendosën një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, masa të cilave iu bashkua edhe Shqipëria. Po ashtu shtetet perëndimore kanë ofruar ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur një hetim për krimet kundër njerëzimit në Ukrainë, duke përfshirë krimet e luftës në pushtim.
/rtsh.al/