Dita e tretë e vizitës së Ramës në Japoni, kryeministri pritet të vizitojë Hiroshimën

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Japoni, kryeministri Edi Rama pritet të vizitojë edhe qytetin e Hiroshimës. Detajet janë bërë me dije nga gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, e cila ndodhet në Japoni, ndërsa kryeministri Rama do të pritet nga kryebashkiaku i Hiroshimës, teksa më pas do të lërë edhe një shënim në Memorialin Paqja në Hiroshima. Kreu i qeverisë shqiptare do të shoqërohet në këtë vizitë edhe nga bashkëshortja, Linda Rama.
Vizita e Ramës në Japoni përkon edhe me 42-vjetorin e vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve, teksa gazetarja Shkodrani bën me dije se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë pritet që shtrihet edhe në fushën e bujqësisë, turizmit dhe teknologjisë së informacionit.
Po ashtu janë duke u draftuar një sërë marrëveshjesh, teksa me rëndësi është fakti që Japonia pritet që në muajt në vijim të vendosë një ambasador të posaçëm për të gjithë rajonin e Ballkanit, ku me shumë gjasa do të jetë Shqipëria vendi ku do të atashohet ky ambasador i posaçëm.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare 5-ditore në Tokio, ndërsa kjo është hera e parë pas 15 vitesh të një kryeministri shqiptar që viziton Japoninë.