E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama përkrah kontrabandën e ilaçeve, fyen mjekët”

02-04-2013 / Gazeta 55

Flet Tritan Shehu, Deputet i Partisë Demokratike

Deputeti i PD-së Tritan Shehu në një prononcim për gazetarët pas mbylljes së seancës parlamentare nga Kuvendi i Shqipërisë, iu përgjigj akuzave të kreut të PS-së Edi Rama për sistemin e shëndetësisë. “Edi Rama në sallonin e tij dhe e gjithë Partia Socialiste, po vazhdojnë të zbaviten dhe të gënjejnë  edhe në ditën e një Prillit, po vazhdojnë të mashtrojnë përsëri me statistikat, me shifrat, me të dhënat për sistemin shëndetësor. Ata të vërtetën për financimin, sipas programit të tyre të këtij sistemi, deklaruan që nuk do ta thonë as nesër në 2 Prill, por do tu a thonë Shqiptarëve mbas zgjedhjeve. Shaka më të madhe se kjo nuk ka. Ne kemi mundësi tu a themi të vërtetën që sot, tu themi se Rama do tu risi taksat, do të monopolizojë shërbimin shëndetësor, do të përkrahi dhe stimulojë kontrabandat dhe grupet e kontrabandës, Rama fyen dhe poshtëron personelin e shërbimit shëndetësor, infermierët dhe mjekët. Kjo është e vërteta, ajo që thotë Rama është vetëm gënjeshtra. Ne nuk kemi kohë të merremi me gënjeshtrat dhe zbavitjet e Ramës. Ne po punojmë dhe do të punojmë deri ditën e fundit të mandatit, do të punojmë dhe në mandatin tjetër për zhvillimin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri. Ne arritëm që të dyfishojmë pagat, buxhetin në këtë shërbim, arritëm të trefishojmë listën e medikamenteve të rimbursuara, zgjeruam skemën e mbulimit sigurativ me të gjithë pensionistët, të papunët, personat me probleme fizike dhe mendore, gratë shtatzëna, personat me sëmundje të rënda etj. Ne krijuam një skemë sociale, ristrukturuam dhe ndërtuam 450 spitale dhe qendra shëndetësore. Të jeni të bindur që në mandatin tjetër, pas fitores së 23 qershorit, ne do të bëjmë shumë më tepër”, u shpreh Tritan Shehu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›