“Gjyqtarë të lidhur me krimin i bëtë anëtar të KLD-së”
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi akuza PS-së
Kundërshtimi i opozitës në Kuvend ndaj projektligjit “Për administratën gjyqësore”, shkaktoi reagimin e ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili akuzoi PS-në se kur ka qenë në pushtet ka emëruar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë që kanë qenë të lidhur me krimin.
Duke marrë shkas nga kontestimi që deputetët socialistë i bëjnë draftit, sidomos në nenet që lidhen me “rolin e ministrit të Drejtësisë për emërimet në gjykata” ai iu tha deputetëve të majtë se kur “ata kanë qenë në pushtet, gjyqtarë të mbështetur prej tyre kanë liruar anëtarë të bandave” dhe se me votën e deputetëve socialistë “ata më pas janë bërë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. “Një gjyqtar e bëtë anëtar të KLD-së duke i pasur dosjet mal. Dhe kur ne kërkuam që ai të largohej, ju me votën tuaj ‘të pavarur’ thatë ‘jo’, ai duhet të rrijë atje si anëtar i KLD-së”, pasi ishte i sponsorizuar personalisht nga ju. Ishte ky gjyqtar që i hapi rrugën bandës së Lushnjes dhe Aldo Bares.
Kjo është drejtësia e pavarur që ju (opozita) bëtë për tetë vjet, ndërsa tani po u bëka qameti se pse ministri i Drejtësisë po bën emërime në gjykata”, iu drejtua ministri Halimi deputetëve të PS-së.