E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama po largon partinë nga beteja”

12/09/2009  Mendimi ndryshe përballet hapur me linjën zyrtare në PS

Takimi i parë në kryeqytet, ngulmohet në ndërprerjen e bojkotit

Me sloganin “jo bojkotit” dhe “për një Parti Socialiste të bashkuar dhe fituese”, Lëvizja për Mendimin Ndryshe brenda kampit rozë startoi dje turin e saj të takimeve me bazën e kësaj partie. Gjatë takimit të saj të parë të zhvilluar në kryeqytet kjo lëvizje shfaqet qartë kundër veprimeve dhe vendimeve tashmë të bëra publike nga lidershipi i PS-së. Për të kundërshtuar linjën zyrtare organizatorët kishin ideuar që secili nga pjesëmarrësit, të cilët referuan në takim, të trajtonin çështje të caktuara, ndaj të cilave ky grupim nuk ndan të njëjtin mendim me linjën zyrtare. Në ambientet ku Lëvizja për Mendimin Ndryshe organizoi mbledhjen e saj të parë u vu re prania e jo pak figurave dhe personaliteteve të shquara të Partisë Socialiste, ndër të tjerë edhe ish-presidenti Rexhep Mejdani. Madje, ky i fundit në përfundim të takimit nuk harroi ta cilësonte të gabuar jo vetëm vendimin e PS-së për të bojkotuar institucionin e Kuvendit, por dhe rikandidimin e Ramës për postin e kryetarit të ri të PS-së. Njëkohësisht të dyja këto çështje u trajtuan nga përfaqësuesit e mendimit ndryshe, duke shkuar më tej në kërkesën për ndryshime statutore. Kështu, një nga kundërshtarët e Ramës, Ben Blushi, sqaroi se “jemi këtu se mendojmë që punët në PS-së nuk po ecin mirë, sepse Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë, se në forumet na është mbyllur dera, jemi këtu në emër të së vërtetës”. Sipas tij, PS-ja nuk erdhi në pushtet jo vetëm për pasaktësitë e zgjedhjeve, por dhe për shkak se e majta nuk u dha shqiptarëve arsyet për ti besuar, prandaj dhe shqiptarët i thanë të majtës se nuk është gati ti qeverisë. “E majta duhet të ndryshojë dhe të shohë me realizëm atë që ndodhi më 28 qershor. PS-ja po zgjedh një kryetar, por nuk po ndryshon, ajo po i ikën betejës dhe i largohet çdo minute kësaj beteje”, - vuri në dukje Blushi. Njëkohësisht ndër zërat kundër dhe kritik ndaj kreut në detyrë të PS-së Edi Rama është radhitur dhe njëri nga themeluesit e kësaj partie - Moikom Zeqo, i cili shigjetoi ashpër rrugën me të cilën u drejtua partia gjatë këtyre katër vjetve. Në gjykimin e tij, Rama nuk është gjë tjetër tashmë veçse një shans i humbur eksperimental, që nuk do ti sillte asnjë të mirë Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›