Rama po shthur shtetin dhe po thur rrjetin e interesave personale
Hapja e zyrave të punësimit të deputetëve të PS është një nxitje për të krijuar struktura paralele të panevojshme, që krijojnë tensione sociale për shkak të diferencimit partiak të të punësuarve. Ideja e Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës për të ndërtues një shtet të interesave të ngushta dëmton në mënyrë të pariparueshme kohezionin shoqëror. Ngritja e komisionit të biografisë në PS është një rikthim prapa: një hap larg humnerës sociale
Fill pas kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që njoftoi qytetarët të aplikojnë për të punuar në zyrën e tij në Vlorë, edhe Koço Kokëdhima e ka zbatuar urdhrin verbal që është dhënë për të gjithë deputetë socialistë duke ftuar qytetarët që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e qeverisë së re. Në faqen e tij zyrtare, kocokokedhima.al, ai shkruan: “Miqtë e mi! Prej ditës së hënë, së bashku me stafin tim ndodhem në qytetin e Sarandës ku nëpërmjet intervistave po krijojmë një database të qytetarëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në sfidat e qeverisë së re. Nëse dëshironi të bëheni pjesë e kësaj iniciative, jeni të mirëpritur në zyrat e PS, Sarandë nga ora nëntë e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes, që t’ju dëgjojmë dhe të plotësoni aplikimin e nevojshëm. Këtë aplikim mund ta dërgoni on-line në adresën k.kokedhima@ps.al”.
Kuptohet vetiu, hapja e zyrave të punësimit nga ana e Partisë Socialiste është një antagonizëm me shtetin duke krijuar struktura paralele të panevojshme që krijojnë tensione sociale për shkak të diferencimit partiak të të punësuarve. Padyshim, një demokrat do të ketë shumë të vështirë të hyjë në përzgjedhjen e Koço Kokëdhimës, pasi preferenca e Koços është për njërëzit që i kanë shërbyer atij në fushatë.
Kësisoj edhe deputetë e tjerë të PS do të rikthejnë komisionet e figurave që i harruam në dhjetorin e ’90. Dikur për t’u anëtarësuar në parti duhej të merrje një sërë vërtetimesh biografike për të provuar pastërtinë e figurës, ndërsa sot në forma më moderne Koço Kokëdhima përdor teknologjinë për të punësuar militantët e PS.
Megjithatë ngritja e strukturave paralele në Partinë Socialiste përkundër strukturave si zyra e Punës të Shtetit, është një veprim dublues që shmang përgjegjësinë dhe i hap shteg papërgjegjshmërisë individuale. Kazma ndaj institucione shtetërore sapo ka filluar sepse Edi Rama po kërkon ta shthurë krejt arkitekturën shtetërore me ngritjen e ministrive të reja, të agjencive të reja, të zyrave të punësimit në Partinë Socialiste për të bërë një shtet personal. Ky do të jetë shteti Edi Rama dhe jo ai shqiptar. Herë pas herë ë ai nxjerr në zyrën e improvizuar të kryeministrisë socialiste figura të antishtetit. Për shembull, dje kryeministri i shtatorit Edi Rama nxori në konferencë shtypi Artan Lamen, ish-nënkryetari i tij në Bashki dhe ish-zëvendësministri i tij në MTKRS, për të shantazhuar gjithë bregdetin me zhbërje të vendimeve të mëparshme. Dhe kjo vjen një ditë pas dëshirës së Edi Ramës për të rikthyer praktikën bolshevike të fletërrufeve përmes internetit, si një mundësi për të vendosur qeverisjen e vet mbi territorin. Kjo praktikë i rrënon në themele institucionet shtetërore dhe nëpërmjet riaktivizimit të strukturave të denoncuesve të mirëtrajnuar të regjimit komunist, rrezikon të mbjellë farat e një konflikti të rrezikshëm shoqëror. Më e keqja e kësaj nxitje publike nga ana Edi Ramës për t’u ankuar për “fqinjin” është nxitja e konfliktit që rrezikon paqen sociale duke e polarizuar shoqërinë në “ne” dhe “ata”. Dhe ata që janë me Edi Ramën do të denoncojnë apo ankohen për ata që sjanë me Edi Ramën dhe kësisoj kryeministri i ri do të kënaqë me prishje ndërtimesh njerëzit që nuk janë me të.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama po sillet si një kryeministër në antagonizëm me shtetin, duke krijuar struktura paralele si zyra punësimesh socialiste që synojnë të kontrollojnë tërësisht administratën, Byro Hetimesh Kombëtare që synojnë kontrollonin apo neutralizimin e prokurorisë, Borde Financiare që synon të kontrollojnë apo neutralizojnë Bankën e Shqipërisë, Agjenci për zhvillimin e Bregdetin që synon kontrollin e ndërtimeve në bregdet për llogari të interesave personale dhe të lobistëve afër deputetëve biznesmenë të PS. Mirëpo ky revansh i Edi Ramës do ti dalë për hundësh sepse nxitja e konfliktit social do të tensionojë dhe polarizojë jetën e qytetarëve duke rikthyer konfliktin politik.