E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuarja e emrave, Sovjetik dhe Jugosllav

10-08-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Njerëzimi, politikat dhe administratat, gjithmonë, kanë vepruar me modele. Në këtë kuptim thuhet edhe për librin. E vështirë ka qenë shkruarja dhe botimi i librit të parë. Edhe emrat njerëzorë bëhen çështje mode. Përshembull, aty nga vitet ’60-të, në Moskën disa milionëshe, sipas statistikave të atëhershme, kishte plot 100 000 vetë me emrin Ivanov. Poashtu, në Shqipëri, mund të shquash periudha të ndikimit emror. Kosova, në fund të shekullit, u ndikua nga emra patriotikë, duke zgjedhur për të porsalindurit, emërvende të Shqipërisë, që në Shqipëri nuk i vinte askush. Por, më i çuditshëm qe krijimi i emërkombeve, për bashkësi shtetërore, ku interesat ideologjike e diktatoriale sajuan emra nga asgjëja. Dy perandoritë komuniste - Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe Republika Federative Socialiste Jugosllave (RFSJ), janë të pazakonta në politikat  që u zbatuan për të krijuar kombin perandorak, për t’i shërbyer qëllimit nacionalist, me sovjetizmin komunist dhe jugosllavizmin socialist, për interesat strategjike të Rusisë dhe Serbisë.
Në gjuhën shqipe, si në të folurën e Jugut dhe në të folmen e Veriut, përdoret një mallkim i njëjtë: “T’u harroftë emni!” dhe “T’u shoftë emri!”. Shuarja ose harrimi nuk kanë ndodhur vetëm me emrat.
Themi dhe “Gjuhë të Vdekura”.
Ka pasur gjuhë të mëdha, gati të përbotshme apo të vogla, dhe kanë pushuar së foluri, së shkruari e, përfundimisht, ato gjinden në “varrezën” e librave të vjetër, lexohen nga pak studiues, për shfrytëzimin e pasurisë së hershme, lënë trashëgim nga perandoritë e dikurshme dhe dijetarët e tyre. Në një statistikë të OKB-së është paralajmëruar se, nga 7000 gjuhë të njerëzimit të sotëm, shumica e tyre po vdesin me shpejtësi. Njoftimi bënte të ditur që, me siguri ato do të zhduken, duke përfunduar në përcaktimin  humbës, “Gjuhë të Vdekura”. Sipas lajmit, prirjeve të zhvillimeve botërore, komunikimit njerëzor mbi bazën e teknologjive shumë të sofistikuara, do t’u bëjnë ballë e mbijetojnë vetëm gjuhët e mëdha.
Themi dhe “Popuj të Zhdukur”.
Historia e njerëzimit është e mbushur me plot ndodhi katastrofike, të cilat, për popuj të ndryshëm, qenë tragjedi e përbashkët - ata u zhdukën. Edhe librat e shenjtë e shtjellojnë këtë dukuri botërore nëpër kohëra, që nuk është ndërprerë as sot e kësaj dite.
Por, duhet të themi edhe “Emërkombe të shuar dhe harruar”.
Ishin tejet të veçanta politika, qëllimi dhe mënyra se si u krijuan dhe u shuan dy emërtime perandorake gjatë shekullit të 20-të. I pari ishte emri Sovjetik. I dyti qe emri Jugosllav. Siç dihet, gjatë shekullit të kaluar, në shkallë botërore, morën shkëlqim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën, rëndomë thuhej: Amerikë ka, komb Amerikan s’ka. Nga perandoria komuniste, SHBA shihej si një atdhe emigrantësh, me gjuhë të përbashkët anglishten, edhe ajo “emigrante”, brenda të cilës vdisnin të folmet e të ardhurve. Mirëpo, me gjithë kundërthënien, ka Amerikë por s’ka komb Amerikan, vetë SHBA shqiptuan kombin e formuar amerikan dhe, ky, tanimë, është një emër i madh. Eshtë hamendje, por duhet të jetë marrë si model, se si 52 shtete formojnë një gjigand të vetëm, se si shumë kombësi krijuan një komb, ai komb mori emrin Amerikan, dhe emri u rrit, u bë i shumënjohur, i lakmuar, deri i famshëm në botë.
Ideologët komunistë, duke kopjuar formën, shpërfillën faktorin e madh, Vendin dhe Lirinë, që u dha emrin gjithë atyre që populluan Amerikën, duke i pagëzuar Amerikanë. Bolshevizmi rus, duke vënë në bazë të synimeve komunizmin  - Marksin dhe Leninin - krijuan  shtetin perandorak, njësitë formuese të të cilit i emërtuan republika. Duke mëtuar t’i rusifikonin popujt e tjerë, për të shmangur kundërshtimin nga emërtimi i pamundur i tyre si rusë, shtetin e përbashkët  e pagëzuan me emrin e Sovjetëve (Këshillave) : Bashkimi Sovjetik ( Sovjetskij Sojuz). Ky bashkim shtetesh ishte veçse një ngjizje ideologjike. Ashtu u besua se lindi dhe u rrit populli i madh sovjetik. U krijua qytetaria sovjetike për t’i shërbyer sovjetizmit komunist. U sajuan forma të shumta për t’i detyruar njerëzit të vetëthirreshin krenarë: “Ja sovjetskij grazhdanin” (Jam qytetar sovjetik”. Pasaporta me katër shkronja cirilike, të mëdha të arta, CCCP (BRSS), tundej si shenjë kombëtare, aq sa, edhe poeti i talentuar Majakovskij, pati shkruar poemë për pasaportën sovjetike. Ai emër, lindi në fillim të shekullit të 20-të dhe u shua në fund të po atij shekulli. Zgjati sa dy - tre breza njerëzorë, ose sa një njeri që vdes 70 vjeç.
Kopje e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike u bë Jugosllavia. Ethet serbe për perandori, shpërthyen, ashtu, si më herët, ato ruse. Vendet që u përfshinë me Beogradin kryeqytet, u pagëzuan me emrin Jugosllavi. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e Parë vijoj si Jugosllavi e Dytë, duke i përngjarë Bashkimit Sovjetik: njësitë shtetërore përbërëse u quajtën republika dhe krejt perandoria e vogël u emërtuar Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë. Nëse, nacionalizmi rus, për perandorinë e vet, emrin e krijoi nga ideologjia komuniste, nacionalizmi serb, emrin e perandorisë, e sajoi nga rraca, domethënë, u pagëzua si shteti i Sllavëve të Jugut, edhe pse, në atë shtet, kishte popuj josllavë. Emrat Jugosllav dhe Sovjetik, gati të njëkohshëm, kanë qenë më të habitshmit - dy emërkombësish pa kombe. Nacionalizmat e të  dy popujve, rusëve dhe serbëve, përdorën komunizmin për të krijuar njeriun e ri dhe këta miliona u pagëzuan me emriat Sovjetik dhe Jugosllav. Maskimi ideologjik i nacionalizmit gjeti një parullë të hatashme tek Manifesti i Partisë Komuniste se, “proletarët nuk kanë atdhe”. Emrat Sovjetik dhe Jugosllav ishin emra nacionalistë e perandorakë, të shërbyer si proletarë.
Panatyrshmëria e ngritjes së këtyre dy shteteve, Jugosllavia si model i Bashkimit Sovjetik, monstruoziteti për të shpikur emra, si njëri dhe tjetri, u vërtetuan edhe me dramat e tragjeditë që u shkaktuan popujve të tjerë gjatë rrënimit, njëri pas tjetrit. Këto dy emra që u thurën me plotë lavde, tashmë, janë shuar. Sikur të dëgjoje dikë që, seriozisht, do të thoshte sot, “Unë jam Sovjetik” apo “Unë jam Jugosllav”, ai njeri do të dukej si fantazmë e mbetur nga dy perandoritë e së keqes, të futura, tashmë, në varrezën e historisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›