E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama politikan shumë i mirë, për të qëndruar shumë gjatë në opozitë”

09-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ripërsërit propozimin e mazhorancës për zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit: Mocion për çdo këshilltar bashkiak apo komune
 
Kryeministri Berisha i bën thirrje sërish Partisë Socialiste për përgjegjësitë që mbart në procesin e integrimit të vendit në BE. Nga foltorja e Kuvendit, shefi i ekzekutivit deklaroi se zgjidhja për pretendimet e PS me qarkun e Fierit është tek oferta e mazhorancës për ndërmarrjen e një mocioni për të gjithë këshilltarët e bashkive dhe komunave. Duke iu referuar politikës bllokuese të lidershipit socialist, Berisha tha kjo do e mbajë Ramën për një kohë të gjatë në opozitë 

Çështja e qarkut të Fierit dhe votimi i 3 ligjeve të statusit në BE, kanë qenë sërish dje objekt i polemikave mes mazhorancës dhe opozitës.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit, kryeministri Sali Berisha i përsëriti ofertën Partisë Socialiste për zgjidhjen e çështjes së Fierit, përmes një mocioni votëbesimi ndaj këshilltarëve të bashkive dhe komunave. Kjo për kryeministrin Berisha është alternativa më e qëndrueshme dhe plotësisht kushtetuese.
“Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje z. Rama edhe njëherë, që këtë muaj unik në histori, pasi nuk do të kemi mundësi unë dhe zoti Rama pavarësisht nga dallimi në moshë të festojmë 100 vjetorin tjetër, por të paktën në këtë muaj, le ta frymëzojë ky muaj dhe të bashkohemi për interesat më madhore dhe të votojmë ato tre ligje, të cilat i pret me padurim çdo shqiptar që ti shohë të votuara si një detyrim që rrjedh nga kërkesat e Komisionit Evropian për statusin e vendit. Unë dhe njëherë theksoj se në rast se ju keni vërejtje dhe amendime, ne jemi të hapur të trajtojmë çdo problem, por për sa i përket situatës në qarkun e Fierit formula e propozuar dje që të venë në votëbesim çdo këshilltar qarku në çdo këshill bashkiak dhe komune. Kjo është zgjidhja më e qytetëruar, sepse bllokimi i këtyre ligjeve për një situatë, të cilën nuk e lidh në mënyrë absolute askush, është dëmtim i interesave jetike të çdo qytetari. Unë mendoj se kjo ofertë nuk ka bazë të hidhet poshtë ndaj dhe nëse doni të procedojmë me marrëveshje dhe ne jemi  të gatshëm të vendosim mocionin për secilin, por as unë dhe as ju nuk mund të diktojmë votën e këshilltarëve. Kam kërkuar ndonjëherë që Paulini (Sterkaj) të kalojë në anën tjetër? Jo pasi ka të drejtë Paulini, ka të drejtë të ndryshojë partinë. Mos të nxjerrim pengesë fenomene të cilat janë të legjitimuar në ligjet shqiptare dhe në ligjet demokratike në mbarë botën. Ajo që mund të bëjmë është mocion për çdo kryetar qarku në këshillat komunale dhe bashkiake”, u shpreh Berisha.
Por, alternativën e ofruar nga kreu i mazhorancës, numri dy i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi e cilësoi si të paqëndrueshme, pasi sipas tij, kjo përbën shkelje ligjore. Përballë këtij qëndrimi erdhi dhe reagimi sqarues i kreut të ekzekutivit, i cili argumentoi se deklarata e Ruçit ishte krejtësisht e gënjeshtërt.
“Nuk është për tu habitur fjalori i zotërisë (Ruçit) pas fotos me kërriçin që kryetari i tij (Rama) postoi në të gjithë botën. Është një axhustim me situatën e re të krijuar në partinë e tij.  Por meqenëse përpiqet dhe shfrytëzon  platformën për mashtrim, unë dua t’ju them qytetarëve shqiptarë se kjo që thotë zotëria është gënjeshtër banale fund e krye. Sepse neni 32 i qeverisjes vendore ju njeh këshillave të komunave dhe bashkisë të drejtën për dhënien dhe heqjen e mandatit të këshilltarëve të këshillave të qarkut. Se neni 32 autorizon këshillat e bashkive dhe komunave për tu dhënë dhe hequr mandatin anëtarëve të këshillave dhe komunave. Se neni 32 përcakton qartësisht mënyrën e ndërtimit të këshillave të qarkut. Është njëlloj si të thuash se deputetët nuk kanë atributin për të dhënë dhe hequr mandatin e ministrave të qeverisë. Por në cilin vend ndodh, në rastin kur një qeveri humbet shumicën dhe vazhdon të qeverisë, të thotë se fitova votat dikur. Kjo nuk mund të ndodhë, kjo është një logjikë jashtëzakonisht rudimentale. Kanë vendosur gjykatat dhe këshillat kanë shqyrtuar vendimet e gjykatave dhe kanë votuar përfaqësuesit e tyre ne përputhje me ligjin. E dini çfarë ju thotë kryetari juaj të tjerëve – ‘nuk mundem, sepse grupi i udhëheqësve të mi të Fierit nuk më lejon’. Unë prapë ju bëj thirrje si forcë politike kryesore e opozitës të ngriheni në lartësinë e detyrimeve tuaja. Të votoni tre ligje të kërkuara në mënyrë eksplicite nga Bashkimi Evropian. Ju mendoni se nëse statusi votohet Sali Berisha merr spaleta por jeni krejtësisht të gabuar sepse nëse statusi jepet spaleta dhe nderim merr çdo qytetar shqiptar. Ju jeni të gabuar nëse mendoni se duke bllokuar statusin do të dëmtoni Sali Berishën, e vërteta është se dëmtoni çdo shqiptarë, dëmtoni edhe Sali Berishën, por më shumë se këdo tjetër dëmtoni veten tuaj, forcën tuaj politike dhe unë mendoj dhe ju ftoj ta shqyrtoni me gjakftohtësish këtë problem”, tha kryeministri.
Duke u ndalur te rregullorja e parlamentit, një ndër ligjet që bashkë me atë të Gjykatës së Lartë dhe projektligjin për Nëpunësin Civil presin votat e opozitës, Berisha tha se Rama e kërkon parlamentin me dy kryeministra, meqë kryeministër nuk do bëhet dot. Në këtë drejtim, para ligjvënësve në Kuvend, kryeministri Berisha theksoi se kreu i PS-së Edi Rama do hyjë në histori si politikani më jetëgjatë në opozitë. Kjo sipas tij, për shkak të qëndrimeve bllokuese të Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj. “Një mik i thotë kryetarit tuaj, ‘Je një politikan shumë, shumë i mirë’, dhe ky menjëherë ngrefoset...dhe ai i shton: ‘Por, do jesh për një kohë shumë, shumë të gjatë në opozitë’. Kështu që, më mirë le të rrijë në opozitë”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›