E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta studentore, gazetari Osman Stafa: Me paketën e re ligjore, kryeministri po shpall diktaturën në Shqipëri! Nuk flet për dhunën e policisë ndaj të rinjve

Gazetari Osman Stafa kritikoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me paketën e re ligjore që njoftoi kundër dhunës në protesta.

osman stafa

Ai e cilësoi nismën si një përpjekje për të kufizuar liritë e qytetarëve, ndërsa akuzoi kryeministrin se po shmang përgjegjësinë për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve.

Sipas gazetarit, paketa e re ligjore përbën një rrezik për demokracinë dhe duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Ai ngriti shqetësimin se masat ndëshkuese po drejtohen ndaj protestuesve, ndërsa nuk po prezantohen masa të ngjashme për efektivët e policisë që dyshohen se kanë ushtruar dhunë.

“Sot çfarë bën kryeministri? Shpall diktaturën. Paketa e re e ligjeve është shpallje e diktaturës së mirëfilltë në Shqipëri. Unë nuk e di se sa do të kenë këllqe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar këtë paketë ligjore, sepse duhet të mbrojnë Republikën.

Shqipëria është mbi Edi Ramën, mbi Sali Berishën, mbi çdo pushtetar, mbi çdo parti politike, sepse është Shqipëria, është kombi ynë, është e ardhmja jonë. Kryeministri nuk flet fare për dhunën që bën policia ndaj atyre njerëzve, ndaj atyre protestuesve. S’ka asnjë paketë ligjore për ata të cilët e bëjnë këtë gjë.

Nuk ka asnjë paketë ligjore mbi ata të cilët dalin me maska, pa asnjë identitet, të cilët unë them janë banda që po mbrojnë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›