E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi, KE-ja kërkon dialog politik dhe funksionim të institucioneve



Eljona Ballhysa
Kërkesa kryesore e Komisionit Europian për Shqipërinë është plotësimi i kriterit të Kopenhagës, si kusht kryesor për të shqyrtuar vitin e ardhshëm kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE. Kjo është bërë e ditur dje nga kreu i delegacionit europian në Tiranë, Luixhi Brusa, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën, me temë “Integrimi Europian - Realitete dhe Perspektiva në dritën e Raportit Analitik të Komisionit Europian”, të organizuar nga Ministria e Integrimit. Kriteri i Kopenhagës quhet ndryshe kriteri politik që kërkon bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, funksionim të parlamentit, miratim të ligjeve me konsensus dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Kërkesat
Gjatë fjalës së tij Brusa kërkoi që qeveria shqiptare të hartojë një plan me 12 rekomandimet e KE-së, ku prioritet të jetë krijimi i një administrate të qëndrueshme publike si një ndër pikat kyçe për integrimin e vendit. Më tej ai apeloi që qeveria e Gjyqësori të punojnë ndjeshëm për këtë çështje. Më tej Brusa vuri theksin në domosdoshmërinë e plotësimit të rekomandimeve të bëra nga KE-ja në raportin e fundit për Shqipërinë. Rekomandimi kryesor është plotësimi i kriterit politik që lidhet me funksionimin e institucioneve të pavarura, me forcimin e ligjit dhe të demokracisë në vend. Brusa tha se “procesi i integrimit nuk mund të kufizohet vetëm në punën e administratës publike, por ka nevojë për një ndërveprim mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, për një bashkëpunim ndërinstitucional, veçanërisht mes Ministrisë së Integrimit dhe ministrive të linjës”. Nga ana shqiptare, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se po punohet në këtë drejtim porse Shqipëria, sipas saj, ka një problem madhor që lidhet me klasën politike. Duke theksuar se ngërçi politik ishte shkaku, sipas Bregut, për mosmarrjen e statusit si vend kandidat për anëtarësim në BE, ministrja tha se gjithë puna aktualisht në vend varet vetëm nga njëri kah politik, duke lënë të kuptohet se opozita nuk bashkëpunon në proceset për reformimin e vendit. “Duhet theksuar fakti se zbatimi i MSA-së nga qeveria shqiptare ka qenë i kënaqshëm dhe marrëdhënia midis Shqipërisë dhe BE-se ka qenë e shkëlqyer, pra në marrëveshjen tonë kontraktuale me BE-në nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur apo të mbetur pezull. Për shkak të situatës emergjente në Shkodër, nuk kemi bërë diskutime në Komitetin Ndërministror të Integrimit (KNI), megjithatë, tashmë kemi analizuar të gjithë raportin analitik dhe rekomandimet e Komisionit Europian, në të cilat kërkohet miratim ligjesh dhe strategjish; e thënë ndryshe, kërkohet pjesëmarrje, kontribut i të gjitha forcave politike”, - tha ministrja Bregu në fjalën e saj. Duke vijuar më tej, ajo i bëri thirrje jo vetëm opozitës, por të gjithë aktorëve, të veshur ose jo me pushtet politik, të përfshihen në procesin e integrimit të vendit.
Rekomandimet
Komisioni Europian, në raportin e fundit për Shqipërinë, ku vendosi të mos japë statusin e vendit kandidat, përveç kritikave, ka bërë jo pak, por 12 rekomandime për t’u përmbushur deri vitin e ardhshëm, kur do të rimerret në shqyrtim kërkesa e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Komisioni vlerëson se negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE duhet të hapen atëherë kur vendi të ketë përmbushur në masën e nevojshme kriteret për anëtarësim, në mënyrë të veçantë kriterin politik të Kopenhagës, që kërkon stabilitet të institucioneve, garantimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor. Në këtë këndvështrim, Shqipëria duhet të përmbushë këto kritere kryesore: “Të plotësojë funksionimin normal të Parlamentit në bazën e dialogut politik konstruktiv që përfshin të gjitha partitë politike. Të miratojë ligjet që vazhdojnë të qëndrojnë të pamiratuara, si dhe të përforcojë maxhorancën në Parlament. Të emërojë Avokatin e Popullit dhe të sigurojë një proces të rregullt dëgjimi dhe votimi në Parlament për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Të modifikojë kornizën ligjore për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Të ndërmarrë hapa konkretë në përmbushjen e reformës në administratën publike, duke përfshirë miratimin e amendimeve në ligjin për Shërbimin Civil, si dhe të forcojë shërbimin civil duke u bazuar në profesionalizimin dhe në depolitizimin e administratës. Të forcojë zbatimin e ligjit dhe të ndërmarrë reforma në Drejtësi, duke siguruar pavarësinë dhe eficiencën e institucioneve të Drejtësisë. Të zbatojë në mënyrë efektive strategjinë e qeverisë për antikorrupsionin, të hiqen pengesat e investigimit, në veçanti pengesat që lidhen me hetimin e gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve”, - shkruhet në raport. Po kështu kërkohet forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe miratimi i një strategjie kombëtare për të drejtat e pronësisë, që duhet të parashikojë kthimin dhe kompensimin e pronës. “Të merren hapa konkretë në drejtim të forcimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht ato të grave dhe fëmijëve të komunitetit rom. Të merren masa për përmirësimin e trajtimit të të ndaluarve në komisariate apo në dhomat e paraburgimit. Të përforcohet bashkëpunimi rajonal, të forcohen kapacitetet administrative të ruajtjes së kufijve, të rritet bashkëpunimi me shoqërinë civile, të forcohet liria dhe pavarësia e medias”, - përfundojnë rekomandimet e KE-së.

Topi apelon për krijimin sa më parë të Gjykatës Administrative

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Në prani të kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta, zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu dhe kryetarëve të gjykatave gjyqësore të vendit, presidenti Topi apeloi edhe një herë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të gjyqtarëve, për paanshmëri të Gjyqësorit, në mënyrë që sistemi i drejtësisë t’u përgjigjet sa më mirë kërkesave dhe të rrisë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe te shteti ligjor. Presidenti i Republikës ritheksoi gjithashtu rëndësinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Administrative. Gjatë fjalës së tij ai e cilësoi ngritjen e godinës së re të gjykatës si një ngjarje të rëndësishme për rrethin e Korçës, por edhe për Drejtësinë në tërësi. “Vërtet drejtësia kërkon ambiente, kërkon komoditet për gjyqtarët, por në radhë të parë për vetë qytetarët. Realizimi i një ndërtese të tillë me ambiente jo të komoditetit, por të atij ambienti që është i domosdoshëm për gjyqtarët, realizon në radhë të parë etikën qytetare, së dyti realizon atë që ne kërkojmë çdo ditë: transparencën. Të japësh drejtësi, natyrisht mund ta japësh duke realizuar dy kushte mjaft të rëndësishme, të profesionalizmit dhe të integritetit, por patjetër drejtësia kërkon edhe ambient, kërkon edhe transparencë, kërkon edhe një lloj komunikimi qytetar pikërisht me atë që kërkon drejtësi, por kërkon transparencë edhe para atyre mjeteve të komunikimit, të cilat janë bërë të domosdoshme për jetën e qytetarit. Unë mendoj që, realizimi i një infrastrukture të tillë, në një zonë, e cila në vetvete, sikurse thashë, ka karakteristika të veçanta jo vetëm fiziko- gjeografike, për një zonë me një qytetari të spikatur, me një traditë të theksuar në të gjitha linjat, jo vetëm në qytetari, por në art, në kulturë, patjetër që të ofron edhe nevojën e përballimit të mjaft çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë”, - është shprehur Topi gjatë fjalës së tij.

Dietat e reja për punonjësit e administratës dhe prefekturave

Qeveria miraton listën e re të masës së trajtimit financiar
Sa do të jetë pagesa për udhëtimet brenda ditës dhe më gjatë

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme listën e re të trajtimit financiar për punonjësit e administratës për udhëtimet jashtë qendrës së punës. Sipas vendimit të qeverisë, dieta do të përfshijë pagesën për udhëtimin larg qendrës së punës, si dhe pagesën për ushqimin dhe fjetjen në hotel. Parashikohet një dietë e posaçme në bazë të largësisë së shërbimit dhe në rast se punonjësi kthehet brenda ditës në qytetin e tij apo qëndron disa ditë larg.
Dietat e reja
Pra, vendimi i qeverisë parashikon që trajtimi financiar i punonjësve për përballimin e shpenzimeve të shërbimit të bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës. Kështu, për shërbime në një largësi deri në 100 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, kundrejt dokumentit tatimor përkatës.
Përjashtohen nga kjo pikë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit kur marrin pjesë në shërbime operacionale. Ndërsa për shërbime në një largësi mbi 100 km jashtë qendrës së punës, punonjësit i përballohen shpenzimet e mëposhtme: dietë ditore, e cila, për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet në masën 1000 lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës; në masën 10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2500 lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë. Shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, do të jenë jo më shume se 3000 lekë për çdo natë.
Dokument tatimor, për efekt të këtij vendimi, do të konsiderohet çdo biletë transporti, e miratuar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe çdo faturë e thjeshtë apo me TVSH, e cila, detyrimisht, duhet të shoqërohet me faturë të printuar nga kasa elektronike fiskale.
Prefektët e qarqeve, që kryejnë funksione larg vendbanimeve të tyre, kur nuk u janë siguruar kushtet për fjetje pranë vendit të punës, përfitojnë dietë dhe u paguhen shpenzimet e ditës për një periudhë jo më shumë se një muaj. Pas një muaji nga data e emërimit të tij, shpenzimet e fjetjes, por jo më shumë se 25 000 lekë në muaj, përballohen nga vetë institucioni urdhërues, deri në momentin e sigurimit të një banese.
Studentët dhe nxënësit, si dhe trupa shoqëruese pedagogjike, që kryejnë praktika mësimore, ekspozita apo veprimtari, jashtë qendrës së institucionit arsimor publik, nuk përfitojnë dietë. Shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes së tyre përballohen nga institucionet përkatëse të arsimit, sipas dokumenteve përkatëse tatimore.

Tarifat
Për shërbime në një largësi deri në 100 km, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit.
Dietë ditore për çdo punonjës të dërguar me shërbim llogaritet në masën 1000 lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës.
Dieta llogaritet në masën 10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2500 lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë.
Për emërimet jashtë qendrës së banimit dieta dhe shpenzimet e fjetjes paguhen jo më më shumë se 25 000 lekë në muaj.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›