E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, prokurorëve: Zbatoni “Antimafien”

16/02/2010 Pikat ku kritikoi Kryeprokurorja. Bashkëpunimi polici-prokurori dhe shkëmbimi i informacionit me të huajt

Krimet e Rënda “mbyten” nga droga. 119 dosje të hetuara për 2009-ën. Problem letërporositë

TIRANE-Zbatimi në teren i ligjit antimafia, bashkëpunimi me strukturat e policisë si dhe shkëmbimi i shpejtë i informacionit me prokuroritë e huaja, kanë qenë tre kryefjalët e analizës vjetore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mes 19 prokurorëve të kësaj akuze, numri një i Prokurorisë, Ina Rama, ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit antimafia, pasi sipas saj organi i Krimeve të Rënda, nuk ka regjistruar asnjë procedim të ri lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga të ardhura kriminale. Shkak i kësaj situate është bërë një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili kishte nxjerrë jashtë përdorimit ligjin italian antimafia. “Duke marrë shkas nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për goditjen e parandalimin e krimit të organizuar, kërkoj që gjatë vitit 2010 të fillojë hetimi i aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Për këto pasuri të sigurohen prova, mbi të cilat më pas të vendoset masa e sekuestros dhe më pas të bëhet konfiskimi i plotë i tyre”,- u shpreh Kryeprokurorja Ina Rama. Më pas kjo e fundit vazhdoi duke pohuar se bashkëpunimi prokurori-polici, është jetik për hetimin dhe identifikimin e eksponentëve kriminalë. “Pa një bashkëpunim nuk mund të arrihet në rezultate konkrete, pasi grupet kriminale veprojnë me njëri-tjetrin dhe për pasojë edhe lufta kundër tyre, duhet të bëhet me partnerët vendas dhe të huaj”,- u shpreh Rama. Lidhur me këtë fenomen Kryeprokurorja u ndal më shumë në trafikun e qenieve njerëzore dhe trafiqet e ndryshme, për të cilat kërkoi thellimin e vazhdueshëm të luftës kundër drogës dhe prostitucionit. Një tjetër pikë ku Ina Rama qëndroi gjatë fjalës së saj, ishte edhe bashkëpunimi ndërkombëtar, ku kërkoi shkëmbimin e shpejtë dhe të saktë të informacionit me agjencitë hetimore të huaja. Gjithashtu Kryeprokurorja i kushtoi vëmendje edhe mënyrës së hetimit, ku veçoi rritjen e efikasitetit të metodave speciale të hetimit.

Droga “mbyt” Krimet e Rënda

Procedimet që lidhen me hetimin e trafikut të lëndëve narkotike përbëjnë 45 për qind të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pothuajse 99 çështjet që hetohet në këtë organ akuze, kanë lidhje me trafikun e drogës, faktor ky që tregon se Shqipëria vazhdon të mbetet një vend që për shumë trafikantë, konsiderohet si rruga kryesore për të kaluar mallin në perëndim. Sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar gjatë vitit 2009, ka të bëjë me operacionin e koduar “Kështjella”, ku u bllokua 40 kg heroinë dhe u arrestuan tre shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë. Ndërkohë që problem i kësaj prokurorie vazhdojnë të mbetet mos ekzekutimi në kohë i letërporosive. Në analizën e Krimeve të Rënda morën pjesë drejtori i hetimit, Sokol Stojani, drejtori i krimit të organizuar në polici, Agron Kuliçaj, e të tjerë specialistë.

Statistikat kryesore

1. Të mbartura 104 procedime

2. Të regjistruara 119 procedime

3. Gjithsej të hetuara 220 procedime

4. Kanë marrë zgjidhje 139 procedime

5. Në gjyq u dërguan 46 % e procedimeve

6. U transferuan 26 procedime

7. U vunë nën hetim 268 persona

8. U dënuan 215 persona

9. Gjatë 2009-ës 1 pafajësi

10. Përfundoi gjykimi 81 çështje

11. Hetimi mesatar 154 ditë

Veprat penale të hetuara

1. Trafikimit të lëndëve narkotike (99 procedime – 45%)

2. Pengmarrje (31 procedime – 14%)

3. Trafikimi i qenieve njerëzore (24 procedime – 11%)

4. Organizata kriminale (21 procedime – 9,5%),

5. Vrasjet ndaj personave me cilësi (15 procedime – 7%)

6. Rrëmbimi i personit (12 procedime – 5,5%)

Analiza tek Krimet e Rënda, shtyn mbledhjen e këshillit

Është shtyrë për ditën e premte mbledhja e shtatë anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak i kësaj është bërë analiza e zhvilluar në Krimet e Rënda, ku dy anëtarët e këtij këshilli Olsian Çela dhe Sokol Stojani kanë qenë të pranishëm në analizë. Pritet që në fundjavë anëtarët të votojnë emrin e një kandidati, i cili do të drejtojë Prokurorinë e rrethit Durrës. Gjithsej në garë janë 13 kandidatë, të cilët aktualisht kryejnë detyrën e tyre pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Shkodër, Elbasan, Fier, Berat e të tjera. Posti i drejtuesit të Durrësit mbeti vakant, menjëherë pas dorëheqjes së kryeprokurorit Arjan Ndoja. Në vend të tij u komandua prokurori Bujar Sheshi, i cili aktualisht vazhdon ta kryejë këtë detyrë deri në momentin kur të zgjidhet emri i ri nga Këshilli i Prokurorisë. Ndërkohë që në rang dite është edhe fillimi i 4 procedimeve disiplinore në akuzën e Durrësit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›