E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet vrasësi serial: Si vrava 4 njerëz

16/02/2010 Haki Miska përveç të ëmës tregon dhe vendin ku kishte varrosur të shoqen

LIBRAZHD-Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një vrasës serial të 4 personave, tre prej të cilëve, pjesë e familjes së tij. Haki Miska 50 vjeç i kapur mëngjesin e 14 shkurtit në Ostren kërkohej për vrasjen e nënës, por gjatë dëshmisë ka rrëfyer se kishte vrarë edhe tre persona të tjerë ndër të cilët bashkëshorten e tij Mimoza Miska dhe njerkun Gani Bruku. Ndër viktimat e tij ishte edhe një mësues i fshatit që e vinte në lojë për nderin e gruas së tij.

Vrasjet

E gjithë zanafilla e krimit ka ardhur pasi autori ka zbuluar tradhtinë e bashkëshortes së tij në vitin 1994 dhe më pas ka vazhduar krimet duke përdorur mënyrën më makabre të torturimit dhe goditjes me mjete të forta. Vetëm mbrëmjen e djeshme janë gjetur edhe eshtrat e bashkëshortes në vendin e diktuar prej autorit. Krimi i fundit i autorit ishte vrasja me sëpatë e nënës së tij që kishte fshehur një prej krimeve, por kishte dijeni edhe për vrasjen e bashkëshortes së të birit. Krimeve të Haki Miskës i shtohet edhe plagosja e vajzës së tij 20-vjeçare në pjesën e veshit dhe të kokës pasi kishte tentuar të ndalonte vrasjen e gjyshes së saj Dije Miska (Bruku).

Drejtori i Policisë së Elbasanit, Sajmir Muçaj, dhe kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gogaj, kanë dalë në një deklaratë për shtyp ku kanë konfirmuar zbardhjen e 3 krimeve të vjetra të Haki Miskës. Policia e ka cilësuar operacionin e koduar “Sheshi i Prevalles” për shkak të numrit të madh të krimeve të ndodhura në këtë fshat me autor Haki Miskën. Muçaj deklaroi se paralelisht me kërkimet e autorit, hetimet kanë vazhduar në drejtim të zbardhjes së disa ngjarjeve të vjetra ndër të cilat zhdukja e bashkëshortes së autorit, Mimoza Miska e vitlindjes 1962. Një dëshmi kyçe ka qenë ajo e një banori të fshatit që kishte qenë edhe i besuari i autorit gjatë kohës që ata pinin bashkë. Kjo dëshmi është përdorur gjatë pyetjeve duke çuar në rrëfimin e plotë të 51-vjeçarit e dokumentuar me forma filmike dhe të shkruara nga specialistët e policisë dhe Prokurorisë. Kreu i bluve të Elbasanit konfirmoi se kanë filluar dje paradite gërmimet në vendin e përcaktuar në bazë të dëshmisë së autorit për të gjetur eshtrat e gruas. Rreth orës 17.30 është bërë e mundur gjetja e eshtrave në tokën rreth 300 metra larg shtëpisë në rreth 2.5 m thellësi të mbështjella me mbetjet e një batanijeje. Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gogaj, tha se është punuar intensivisht për prangosjen dhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të seria killerit Miska. “Prokurorët, tha ai, kanë zhvilluar hetime intensive për të arritur suksesin që zbardhi tre krime të vjetra”.

Rrëfimi në polici

Autori i 4 vrasjeve fillimisht ka tentuar t’u rezistojë pyetjeve për dyshimet mbi vrasjen e të shoqes, por kur është gjendur përballë një dëshmie tjetër të rrëfyesit të tij të vetëm në fshat është dorëzuar. Hetuesit janë treguar të kujdesshëm të dokumentojnë çdo gjë e çdo fjalë duke filmuar dëshminë e tij. Teksa ka treguar sesi ka vrarë bashkëshorten ai ka thënë se shkaku i këtij krimi ka qenë tradhtia. “Erdha nga Greqia për në shtëpi pasi më kishte kapur policia dhe më kishte kthyer. Isha i rraskapitur dhe i lodhur nga rruga kur pashë njërin që doli nga dritarja e shtëpisë. Unë e njoha kush ishte. Hyra në shtëpi e mora gruan e kam rrahur aq shumë derisa i doli shpirti. Hapa një gropë në tokën time rreth 1 metër e gjysmë dhe aty e groposa. Ditën e nesërme shkova në polici dhe deklarova se gruaja ishte larguar nga shtëpia. Kur u ktheva nga Greqia nuk e gjeta në shtëpi”. Ai ka treguar se e ka varrosur gruan të mbështjellë me një batanije. Gjatë gërmimeve është vërtetuar se gruaja ishte varrosur me batanije, pasi janë gjetur mbetje të saj. Ndërkohë ai ka treguar se njerkun e tij e ka vrarë me ndihmën e të ëmës për motive pronësie dhe kanë deklaruar se kishte rënë nga kumbulla. Edhe mënyra e vrasjes së njerkut ishte nëpërmjet torturës dhe goditjes me mjete të forta. I treti në radhë ka qenë një mësues, që kishte lidhje fisnore me të dashurin e gruas së tij. Mësuesi është vrarë sepse e vinte në lojë autorin duke e prekur në nder. E fundit në listë kanë qenë nëna e autorit Dija që kishte dijeni për vrasjet, por ishte bërë edhe bashkëpunëtore në njërën prej tyre. Disa herë kishte dashur të fliste, por asnjëherë nuk e kishte marrë guximin. Për fatin e mirë të saj, vdekjes i ka shpëtuar vajza 20-vjeçare që ka parë të atin duke masakruar gjyshen.

Vrasja e gruas

Zbulohen eshtrat pas disa orë kërkimesh

Efektiva të policisë, punonjës të komunës, banorë dhe prokurori i çështjes kanë qenë paraditen e të hënës në vendin e përcaktuar nga autori dhe një dëshmi për varrosjen e gruas së tij. Në bazë të kësaj dëshmie, para 15 vjetësh ai e ka varrosur në një tokë që është në pronësi të tij. Gropën e ka hapur rreth 1.5 metër të thellë dhe mbi të janë vendosur disa gurë. Sipas ekspertëve për shkak të lëvizjes së tokës, thellësia ka arritur deri në 2.5 metër. Për këtë arsye është gjetur një ekskavator. Gërmimet kanë vazhduar deri në mbrëmje rreth orës 17.30 është arritur të gjenden. Eshtrat të mbështjella me mbetje batanijeje kanë vërtetuar dëshminë e burrit përballë agjentëve. Në prani të ekspertëve janë marrë dhe dërguar në Elbasan. Kjo provë vërteton edhe krimin e parë të kryer nga Haki Miskja.

Vrasjet

Mimoza Selman Miska e vitlindjes 1962, lindur në Elbasan dhe me banim në Prevallë, është vrarë në prill të vitit 1994. Autori e ka torturuar dhe më pas vrarë me mjete të forta. Pas vrasjes ka hapur një gropë në një arë e quajtur “Lugu i Miskut”, pronë e tij dhe e ka groposur. Pas groposjes, autori ka denoncuar në polici largimin e bashkëshortes nga shtëpia. Vazhdojnë kërkimet për eshtrat e gruas.

Gani Fejzulla Bruku, njerku i autorit, është vrarë më 7 korrik të vitit 1995. Autori e ka torturuar dhe goditur për vdekje me mjete të forta. Mësohet se në fshehjen e krimit ka ndihmuar edhe nëna e tij Dije Miska(Bruku), e cila ka deklaruar bashkë me djalin e saj në polici se bashkëshorti kishte rënë nga një kumbull dhe kishte gjetur vdekjen. Rënia aksidentale ka bërë që të mos i bëhej autopsia e trupit dhe kjo vrasje të kalohej si ngjarje aksidentale.

Qamil Din Lluka me banim në fshatin Funarëz të komunës Orenjë në rrethin e Librazhdit ishte mësues në zonë dhe është gjetur i vdekur pasi dyshohej se kishte rënë nga një lartësi më 18 gusht të vitit 1995. Sipas policisë, pasi e ka torturuar dhe goditur disa herë, Haki Miska e ka hedhur nga maja e shkëmbit në vendin e quajtur “Shkalla e Kuqe”. Kjo ngjarje ishte konsideruar si aksidentale, pasi viktima njihej si përdorues alkooli dhe nuk kishte dëshmi që vërtetonin të kundërtën.

Dije Fatit Brugu(Miskja) 70 vjeç është vrarë më 5 shkurt 2010 pas disa goditjeve me sëpatë. Sipas policisë, ngjarja ka ardhur pasi Hakiu është grindur me nënën e tij pas sherreve të vazhdueshme prej vitesh në këtë familje. Ndërkohë ka mbetur e dëmtuar vajza e tij 20-vjeçare Besarda Miska, e cila ka tentuar të ndalojë të atin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›