E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama przanton "Kurbanin", Basha inaguron panairin, replikat me Blushin

10/11/2011  Kreu socialist promovon mes miqve dhe deputetëve librin e tij

Tregut të librit iu shtua dje dhe rrëfimi prej 420 faqesh i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Kështu, përmes një ceremonie modeste Rama, i cili kësaj radhe u shfaq para publikut si shkrimtar, promovoi librin e tij “Kurbani”. Mes miqsh, deputetë, shkrimtarë e gazetarë kryetari i socialistëve firmosi librin e tij, të nisur dhe përfunduar brenda një kohë të shkurtër. Në këtë pjesëmarrje, e cila përmblidhte në vetvete një mori kategorish, u vu re mungesa e përfaqësuesve të djathtë, kjo jo vetëm e faktorëve politikë, por dhe aktrorëve të ndryshëm që i përkasin këtij spektri. Nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, Rama fillimisht ndoqi dokumentarin e përgatitur për një ceremoni të tillë, ku në qendër ishte pikërisht puna e ish-kryebashkiakut në mandatet e tij në krye të metropolit shqiptar. Këtë dokumentar ish-kryebashkiaku Rama e ndoqi me shumë vëmendje, duke u mbështetur herë në supin e Lindës e herë duke mbledhur parakrahët. Fare pranë çiftit qëndronte dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili jo vetëm ndoqi me vëmendje këtë dokumentar, por kaloi në radhën e parë të të ftuarve për të dëgjuar fjalën përshëndetëse të kryetarit socialist Rama. Nga ana e tij Rama nuk mundi të shkëputej nga deklaratat politike, ku natyrisht në qendër ishte kundërvënia ndaj kundërshtarëve politikë. Madje, qëndruar në këtë linjë, Rama risolli në kujtesë një nga çastet jo të këndshme me të cilat u përball në kohën kur garonte për kreun e bashkisë në shkurt të vitit 2007. “Më duket sikur kam dalë publikisht lakuriq. Edhe ju e dini se nuk e kam për herë të parë. Por çdo lakuriqësi të bën të ndihesh i kërcënuar. Ajo së cilës i druhem është që të mos ju dukem i mërzitshëm teksa lexoni 420 faqet e librit”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij përpara pjesëmarrësve. Pjesë e organizimit të këtij eventi, përveç dokumentarit, ishte ideuar dhe një përshëndetje e deputetes Luiza Xhuvani, e cila ishte përzgjedhur të lexonte një pjesë të shkurtër të “Krabanit” të Ramës. Po kështu në këtë pjesë të organizimit nuk mund të mos përfshihej dhe fjala e shkurtër e drejtueses së shtëpisë botuese që mundësoi botimin e këtij libri.

Kokteji

Për të gjithë të ftuarit në promovimin e librit “Kurbani” të Edi Ramës ishte rezervuar dhe një koktej, i cili përveç bisedave mes njëri-tjetrit u shfrytëzua dhe për marrjen e autografeve nga shkrimtari në fjalë. Në sallën ku u organizua promovimi i këtij libri u panë të ishin pjesë deputetë, ish-themelues të PS-së. Ndërkohë i pranishëm ishte dhe konkurrenti i Ramës, kjo sa i takon botës së librit, deputeti Ben Blushi. Por munguan Harasani e Islami.

Panairi, Basha blen kurbanin e Ramës, shkëmben batuta me Blushin

Basha:Rama do shkruajë dhe në 2013. Blushi: Mëso si ndërtohet sheshi

Deputeti socialist Ben Blushi ndërsa i ka dhuruar një kopje të librit te tij “Shqipëria”, kreut të Bashkisë Lulzim Basha ka gjetur momentin të shkëmbejë batuta lidhur me librin më të fundit të Ramës “Kurbani”. “Shkova me shpresën mos gjeja zotin Rama, por nuk ishte”,-i’u drejtua kryebashkiaku Basha, deputetit socialist Ben Blushit. Blushi, i cili ndodhej në stendën ku po promovohej libri i tij i është përgjigjur batutës së Bashës me sarkazëm: “Zotin Rama do e takosh, por mëso si bëhet sheshi”. Ndërkohë kreu i Bashkisë Basha, vijoi batutën duke komentuar librin e kreut socialist Rama, duke thënë se është mirë që ai të shkruajë libra sidomos për vitin që vjen. “Shkova, e pashë, më thanë ca mendimi kam. Ca mendimi kam?! Për mua është mirë që ai të shkruajë një libër, si ky që do vijë. Vecanërisht në 2013”- iu përgjigj Basha. Ndërkohë Blushi e plotësoi: “Që të rregullosh sheshin”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mori dje pjesë në hapjen e Panairit të Librit në Tiranë. Duke vizituar stendat, ai është ndalur edhe tek ajo e botimeve Dudaj ku ka blerë librin e ish kryetarit të bashkisë së Tiranës, të cilit i zuri vendin pas zgjedhjeve të 8 majit. Basha pasi bleu për një mijë lekë librin “Kurban”, bëri edhe një koment për gazetarë, në lidhje me librin e fundit të kreut të opozitës, Edi Rama. “Në kontekstin që është shkruar, uroj që të shkruajë sa më shumë libra të tillë”, - tha Basha duke uruar që “Kurbanin“ e radhës ta shkruajë në vitin 2013”. Dhe ky koment ishte as më shumë dhe as më pak, por “urimi” i Bashës që Rama të humbë edhe në zgjedhjet e vitit 2013, pasi dihet se kryesocialisti e shkroi librin në periudhën qershor-korrik 2011 teksa numëroheshin votat për bashkinë e Tiranës, proces nga ku doli humbës. Në këtë kuadër, Basha tha: “Mendoj se është një risi e mirë që pas shumë kohës që shkrimtarët janë futur në politikë dhe politikanët po i kthehen librit”. Kurse duke u përqendruar tek “Kurbani” i Edi Ramës që mesa duket e kishte lexuar që para se të dilte sot në treg, tha se në këtë kuptim veçanërisht në kontekstin që është shkruar, uronte që të shkruajë sa më shumë libra të tillë”. Basha shprehu mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për çdo aktivitet për botën e librit. “ Fakti që sot në këtë panair, janë ekspozuar edhe botime nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Gjermania, etj, i jep qytetit tonë dimensionin e merituar të dijes dhe rrezatimit të saj”, tha Basha. Kryebashkiaku më pas vizitoi stendat e librave në panair duke takuar botues dhe shkrimtarë të shumtë mes tyre edhe politikanin Ben Blushin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›