E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Historianët të zbardhin të vërtetat mizore të diktaturës

10/11/2011  Përurohet Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit dhe Pasojat e tij

U përurua paraditen e djeshme në Tiranë Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit dhe Pasojat e tij, ku me këtë rast u çel dhe ekspozita “Gjeografia e gjenocidit të komunizmit në Shqipëri”. Në fjalën e tij drejtori i Institutit, Agron Tufa, theksoi se ky institut është i hapur të bashkëpunojë e të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve, historianëve, të botës akademike e intelektuale shqiptare për të zbardhur krimin e gjatë të mashtrimit, deformimit dhe manipulimit të jetës sonë në komunizëm në të gjitha rrafshet e saj nga përditshmëria deri tek arti dhe shkenca. Si e ftuar nderi, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rëndësinë e ngritjes së këtij instituti dhe garantoi se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë në mbështetje të çdo dëshmie të historisë, që, siç e konsideroi ajo, është pjesa më e zezë e historisë së kombit tonë. Me këtë rast kryeparlamentarja Topalli përsëriti ftesën ndaj historianëve që të zbardhin të gjitha të vërtetat e krimeve të komunizmit dhe të hedhin dritë mbi tragjedinë që ky regjim mizor hodhi në mijëra familje shqiptare. “Historianët duhet të bëjnë detyrën e tyre për të ditur se çfarë ka qenë komunizmi, që të mos përsëritet më kurrë dhe që të vlerësojmë atë që ne kemi sot: lirinë, vlerat evropiane dhe përpjekjet tona drejt bashkimit evropian” , - tha Topalli. Ekspozita, e organizuar nën kujdesin e veçantë të historianit dhe shkrimtarit Agim Musta, paraqiste harta me vendet ku ishin ngritur burgjet e komunizmit si dhe vendet ku bëheshin ekzekutimet individuale apo masive gjatë diktaturës. “Kjo është një ekspozitë që tregon krimet e komunizmit në Shqipëri gjatë 45 vjetve. Janë harta e Shqipërisë ku bëheshin ekzekutime, si në Shkodër, e cila ka mbetur në histori për ekzekutimet që janë bërë në zonën e Kirit, në bregun e Bunës; ekzekutime janë bërë në Tiranë dhe qytete të tjera me radhë. Paraqitet Shqipëria e ekzekutimeve, sepse komunizmi kërkonte që t’i digjte kufomat dhe ato varroseshin gjithmonë buzë përrenjve dhe lumenjve, që vërshimi i ujit të merrte me vete kufomat”, - tha Musta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›