Rama, qytet më qytet, me fotokopje gënjeshtrash
Zbardhet rrugëtimi vetmitar i uzurpatorit të opozitës. Ai s’ka as alternativë e as ofertë elektorale, por veç një bllok me fotokopje gënjeshtrash, të cilat i shpall qytet më qytet, të shoqëruara me mallkime për shqiptarët me vokacion të djathtë dhe me parashikime apokaliptike, nëse me 23 qershor, zgjedhësit do ta dërgojnë përfundimisht në pension politik
Edi Rama sa herë ka një problem del në bazë për të fituar kohë. Herën e fundit që kryetari i Partisë Socialiste gjezdiste në takime qytet më qytet ishte kur i dha fund agjendës konfliktuale duke bërë një marrëveshje politike. Ndërsa kësaj here problemi është më specifik. Edi Rama refuzon të përballet me kërkesën e deputetëve aktualë për kriteret e listës së sigurt të kandidatëve të PS në qarqe. Prurjet e reja të Ramës dhe aleancat me LSI ka shtuar edhe më shumë pasigurinë në radhët e bazës që shfryjnë maraz dhe pakënaqësi. Rama u detyrua të rikthehej në Elbasan për të prezantuar gjysmë programin pasi në këtë qark ka bërë një listë përfundimtare të kandidatëve. Ndërsa në qytetet e Durrësit, Fierit, Vlorës dhe Korçës të cilët janë në ethe për përcaktimin e listës, Edi Rama shkon gjoja për të prezantuar programin ekonomik, në fakt teston kërkesë-ofertën e kandidatëve.
Kryetari i paqartë i PS kërkon të fitojë sa më shumë kohë duke bërë monologje të gjata pa lidhje me makroekonominë dhe stabilitetin fiskal të një vendi sesa të përballet me kushtet e Vangjush Dakos, Baftjar Zeqos, Shpëtim Gjikës dhe Niko Peleshit që janë çifligarë në qytetet e tyre. Frika për ndërhyrje në listë detyron kreun e PS, Edi Rama të rikthehet në Elbasan për të lexuar “kapitujt” për Ekonominë.
Ai flet për ekonominë sikur të ishte një laureat Nobel që ka gjetur formulën e rritjes ekonomike duke rritur taksat për bizneset e larta dhe të mesme që punësojnë qindra mijëra vetë dhe për biznesin e vogël premton se do ta heqë, duke instaluar një kulturë mospagese, pasi taksat për biznesin e vogël është përgjysmuar vitet e fundit. Edhe aleatja më e re e PS, LSI ka dalë kundër heqjes së taksës për biznesin e vogël dhe vendosjes së taksës progresive për biznesin e madh dhe të mesëm.
Gjithashtu Edi Rama refuzon të japë përgjigje publike sesi do të financojë buxhetin publik duke hequr taksat dhe instaluar një kulturë evazioni fiskal që prodhohet nga taksat progresive. Për të mbuluar mangësitë në shkencat ekzakte, kryetari i PS detyrohet të mbrohet duke sulmuar Institutin e Statistikave si të manipuluar nga qeveria. Kësisoj ai hedh poshtë statistikat zyrtare dhe jep statistikat e tij personale që janë kurdoherë në favor të tezës së zezë të ekonomisë shqiptare. Padyshim kriza ekonomike botërore ka ndikuar në ekonominë shqiptare duke ulur rritjen ekonomike, por nuk ka asnjë institucion serioz të deklarojë se vendi ra në recesion. Kjo është meritë e reformave largpamëse që krijuar një regjim fiskal optimal për bizneset (taksa e sheshtë) dhe zgjeroi lirinë ekonomike duke digjitalizuar One-Stop-Shop dhe informatizuar dhënien e licencave të ndryshme dhe pagesës së taksave e tatimeve on-line.
Janë krijuar nga lehtësitë fiskale, reformat liberalizuese, nga miliarda euro investime, nga sipërmarrja private, 4 miliardë nga investimet e huaja, dhe investimet e gjera publike në bashkëpunim me sipërmarrjen private, në rrugë, spitale, shkolla etj. Taksa e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve të vogla me 50 % dhe bizneset e mesme me 150 %. Pra, është funksionale. Punësimi në sektorin privat është rritur me 30 % nga viti 2006, vetëm në zonat formale. Papunësia ka rëne nga 14.1% në vitin 2005, në 13.2 % në vitin 2012.
Përkunder kësaj Edi Rama ka refuzuar të jetë pjesë e ndryshimit, duke refuzuar të votojë ngritjen e Gjykatës Administrative që është një aleate e madhe e biznesit kundrejt arbitraritetit shtetëror.
Biznesi shqiptar ka kërkuar disa herë nga PS-ja që të votojë një nga tri ligjet e BE-së, atë për Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se ky akt do të ndikonte mjaft pozitivisht në klimën e sipërmarrjes në vend. Edi Rama nuk ka një program ekonomik, receta e rritjes ekonomike të PS është në mendjen e milardierëve që synojnë të rrisin miliardat e tyre.