E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama synon të shkojë në zgjedhje me patericat e së majtës europiane, tashmë për vete në krizë

11-04-2013 / Nga Eden Babani

Duke i kërkuar Edi Ramës të bëjë publike prejardhjen e 1 milion eurove investim për pallatin pesëkatësh me sipërfaqe ndërtimi 900 m katrorë të gruas së tij dhe të familjarëve të saj, zëdhënësja e PD-së, Vorpsi, zuri në gojë “vizitorët dështakë” që janë dukur këto ditë në Tiranë. S’ka dyshim se ka aluduar për italianin Pitella dhe për kilianin, Ayala, i pari, zëvendëspresident i Parlamentit të Europës dhe i dyti, i Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste. Dy përfaqësuesit  socialistë, me gjithë hallet që ka e majta europiane atje ku ka fituar, u munduan ta pomponin aleancën PS - LSI si shpëtimtare të krizës që paska mbërthyer Shqipërinë nën qeverisjen e djathtë të Partisë Demokratike. S’e mendoj dot me ç’ logjikë politike dy përfaqësuesit e dështakëve morën guximin të hidhnin një hap të tillë, kur në Shqipëri edhe qentë e rrugës e dinë se një pjesë e përgjegjësisë, nëse do të kishte vërtet krizë, do të binte edhe mbi LSI-në e Metës, e pranishme gjatë gjithë këtij mandati qeverisës në postet më të larta qeveritare, me një zëvendëskryeministër dhe me tre ministra, përveç një lukunie tjetër funksionarësh politikë, që normalisht do t’i takonin PD-së, po të respektoheshin përqindjet e përfaqësimit në Parlament.
Kur ka përdor emërtimin “dështakë”, zëdhënësja e PD-s, është treguar tepër luajale ndaj dy të ftuarve të Ramës. Jo aq për semantikën e fjalës, sa për adresimin. S’ma  merr mendja ta ketë pasur me individët Pitella e Ayala, por me idetë socialiste tashmë të dështuara në kontinentin tonë, paçka se dy të dërguarit e Internacionales Socialiste kishin bekimin e kryetarit Papandreu, i cili, pasi e shndërroi PASOK-un nga parti kryesuese, në opozitare të rangut të katërt, dhe pasi e katandisi Greqinë në atë gjendje që nuk e ka parë veten qysh nga Lashtësia, synon të ndreqë punët e shqiptarëve.
Bash ditën që Vorpsi i kërkoi për kushedi se të satën herë Ramës “të mos fshihet si frikacak”, Partia Socialiste Franceze përjashtoi nga radhët e saj ish Ministrin e Buxhetit, Jérôme Cahuzac, falë një skandali financiar dhe gënjeshtrave me të cilat u përpoq ta fshihte për muaj me radhë. Duke iu referuar deklaratës përkatëse, mediat vendase shkruanin për “një akt të papranueshëm për një të zgjedhur të Republikës dhe anëtar të qeverisë”, çka e ka vënë partinë e Presidentit Holandë në vështirësi ndaj elektoratit të saj. Si ministër, Cahuzac pati dhënë dorëheqjen qysh 19 marsin e kaluar. Ndërkohë, një ditë përpara se të përjashtohej nga partia, të hënën që shkoi, sekretari i Parë i Partisë Socialiste të Francës, Harlem Désu, paralajmëroi se do të ishte çmenduri të mendohej që Cahuzac të merrte pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme. Këto ditë, shtypi ka hedhur dyshime se edhe Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, ka llogari bankare të padeklaruara në Zvicër, pavarësisht përbetimeve dhe tentativave të tij justifikuese. Në kushte të tilla, kur anija socialiste franceze po lëkundet në dallgë që sa vjen e fryhen, Presidenti Holandë është detyruar të marrë masa të dëshpëruara për të mbajtur në duar timonin. Sipas shtypit të djeshëm, Presidentin i Francës ka thënë se “për të moralizuar jetën publike, një autoritet i pavarur do të kontrollojë pasurinë dhe konfliktet e mundshme të interesit për të zgjedhurit, përfshi edhe 34 ministrat e qeverisë”, të cilët duhet t’i deklarojnë pasuritë deri të hënën e ardhshme.
Nuk është e nevojshme të zgjatem se çfarë bombe u ka plasur socialistëve francezë me disa nga të zgjedhurit e saj, të cilët kanë abuzuar financiarisht ose kanë fshehur pasurinë, një sëmundje gjenetike e partive të majta. Sipas meje, më e rëndësishme është ta ndalim vështrimin mbi zhvillimet në vendin tonë.
Ndonëse çështjet janë në hetim e sipër, komentet e mia do të kishin qasje me dyshimet që rëndojnë të disa prej krerëve tanë të majtë. Përveç çështjes “Pallati në Pajë” ose “Rezidenca Verore Edi Ramës në Dajt”, çka PD-ja ka kërkuar herë pas here sqarime përmes zëdhënëses Vorpsi, unë do të sillja si shembull skandalin me kontrabandë ilaçesh, ku dyshohet të jetë implikuar i ati i deputetit socialist Saimir Tahirit, njëri prej liderëve të partisë së Ramës, me pretendime për të qenë pjesë e qeverisjes, në rast të një fitoreje në zgjedhjet e 23 qershorit. Për fat të mirë, tashmë dihet edhe reagimi i deputetit Tahiri, edhe ai i Ramës, për çka elektorati ynë duhet t’i thërrasë mendjes sa s’është vonë. Më tepër sesa spektakleve politike të liderëve socialistë të ardhur nga Europa, nga Amerika Latine a nga Tinglimajmuni, elektorati ynë duhet t’u qaset dukurive shqiptare, përpara se të shkojë te kutia e votimit. Përndryshe do të zhgënjehet si elektorati francez ose ai italian.
Tashmë dihet se votuesit italianë patën fatkeqësinë ta copëzonin përfaqësinë parlamentare më katërsh, aq sa, dyzetegjashtë ditë pas zgjedhjeve, nuk ka shumicë të besueshme dhe nuk po gjenden as numrat e nevojshëm, as konsensusi për të krijuar qeveri. E ideologjizuar tej mase, e majta italiane s’pranon qeverisje me të djathtën, e vetmja zgjidhje, për të mos shkuar drejt zgjedhjeve të reja, çka do të ishte katastrofë për fuqinë e tretë ekonomike të zonës euro. Në gjithë këtë katrahurë, ku protagonisti numër një është padyshim komiku i skenës, Beppe Grillo, kreu i së majtës, Bersani, pretendon me papërgjegjshmëri fronin e Kryeministrit me sloganin “për të mirën e vendit e të popullit italian!...”, ndonëse koalicioni i majtë nuk ka veç 0,3% më shumë se të djathtët. Merret me mend lehtësisht çka do të ndodhte te ne, në rast të një fitoreje të ngushtë të së majtës sonë, një kopje e keqe, në mos e shpërfytyruar, e së majtës në përgjithësi.
Mirëpo, a do t’i kuptojë vallë elektorati ynë i pavendosur lojërat e magjistarëve të majtë që e mbështesin Ramën dhe e këshillojnë të gjejë rrugën më të shkurtër për të sjellë në pushtet stampën e regjimit të Enver Hoxhës?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›