E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama qytetar nderi i Skënderajt, opozita: Asnjë kontribut për Kosovën

rama-qytetar-nderiKosovë- E përditshmja kosovare Zëri shkruan sot se subjektet politike opozitare të komunës së Skënderajt dhe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar propozim-vendimin e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku dhe rekomandimin e Komitetit për Politika e Financa, që Edi Rama të shpallet qytetar nderi i Skënderajt.

Sipas shkrimit ata e vlerësojnë Edi Ramën si njeriun që nuk ka dhënë asnjë kontribut, as për UÇK-në, as për Drenicën e as për Kosovën.

Fadil Geci (LDD), ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i pyetur nga Zëri thotë se ky vendim dhe vetë Edi Rama nuk janë në frymën e Drenicës.

Unë e kam thënë edhe më përpara dhe tani po del të jetë e vërtetë, se raportet private në mes të figurave të ndryshme nuk mund të reflektojnë te qytetarët dhe të përcillen me vendime që janë të papranueshme dhe të dëmshme, sidomos për Drenicën. Drenica nuk frymon me socialistët dhe me njerëzit e sojit të Edi Ramës dhe të Fatos Nanos. Pa dyshim, Edi Rama nuk ka asnjë kontribut për Drenicën, për UÇK-në edhe më pak, e për Kosovën të mos flasim. Ai vjen në Kosovë kur e thërrasin jaranat e tij, i bëjnë muhabet dhe e përdorin për qëllime të veta, por ai vjen edhe për interesa të veta. Kjo mënyrë nuk mund të tolerohet dhe, së fundi, një kuvend, i cili përbëhet nga të zgjedhur të popullit nuk do të duhej ta merrte një vendim të tillë, sepse nuk do të shkojë shumë gjatë, e atij sigurisht se do ti merret ky titull,-tha ai.

Komisioni për informim i degës së LDK-së në një deklaratë për mediat tha se ky veprim ulj vlerën e kësaj mirënjohjeje.

Një vendim të tillë ne nuk e përkahim, sepse kjo ia ul vlerën mirënjohjes Qytetar Nderi. Për ta marrë këtë titull, personi duhet të ketë dhënë kontribut për trevën. Popullata e kësaj ane nuk di cilat janë meritat e Edvin Kristaq Ramës dhe nuk i di arsyet që kanë çuar pushtetin lokal të marrë këtë vendim. DK-ja me të drejtë pyet, në mos është ky kthim i borxhit qytetit të Vlorës, bashkia e së cilës ka shpallur qytetar nderi kryetarin e Skënderaj, Sami Lushtakun,- thotë deklarata e cituar nga Zëri.

Kryetari i degës së AAK në Skënderaj, Qazim Xani, tha se vendimi për ta shpallur Edi Ramën qytetar nderi të Skënderajt.

Kontributi i Edi Ramës për Drenicën dhe Kosovën është zero. Bile për UÇK-në dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës, ai nuk ka bërë absolutisht asgjë. Madje, deri sa në Kosovë bëhej luftë dhe derisa shumë familje shqiptare ua hapen dyert familjeve kosovare, të cilat dëboheshin me dhunë nga trojet e tyre, Edi Rama nuk ishte askund, besoj se nuk ka qenë as në Shqipëri. Eshtë vërtet për tu habitur se si bën që një njeri pa asnjë kontribut, përveç që vjen herë pas herë në Skënderaj, sepse i ka këtu shokët, që e thërrasin nëpër ahengje të ndryshme, të shpallet qytetar nderi i një rajoni që me dekada të tëra ka bërë luftë të përgjakshme me okupatorë e sundues. Ka shumë njerëz meritorë në Shqipëri dhe në rajonet tjera, të cilët kanë dhënë kontribut shumë të madh për Drenicën, e të cilët as që zihen në gojë nga ky pushtet,-tha ai sipas Zërit.

Zëri shkruan se gazetarët e Skënderajt kanë kërkuar një prononcim nga kryetari i këtij subjekti politik, Kadri Zeka, por ai nuk është përgjigjur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›