E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia vepruese e Edvin Ramës, derivat i aksionit moskovit

Situata e fundit politike, ashtu si dhe e shumë shqiptarëve, më ka sjellë në mendje mjaft paralelizma, ide dhe opinione. Por situata po bëhet tashmë e rrezikshme dhe është rasti të sjell në mendjen e lexuesve një pjesë të dokumentit që Xhorxh Kenan, një ish-diplomat Amerikan në Moskë i dërgon Trumanit dhe që u bë i njohur si “Telegrami i Gjatë” në vitin 1946, lidhur me filozofinë politike të Moskës komuniste dhe perceptimin e tyre për politikën, si një paralelizëm i pastër mes filozofisë që demaskonte Kenan dhe filozofisë që po ndjek sot Partia Socialiste, derivat i asaj Komuniste, në rrugën e grevës dhe të dëshirës për destabilitet. Kenan shkruan: “Në këtë dogmë (komuniste), me altruizmin në bazë të qëllimit të tij, ata kanë gjetur justifikimin për frikën e tyre të pavetëdijshme nga bota e jashtme, për diktaturën, pa të cilën ata nuk dinin si të sundonin, për krimet, që ata nuk kishin guxim të mos i bënin, për sakrificat, që ata e kishin për detyrë t’i kërkonin. Në emër të Marksizmit dikur ata sakrifikuan çdo vlerë të vetme në metodat dhe taktikat e tyre. Sot ata nuk mund të bëjnë pa to. është një gjethe fiku e respektueshmërisë së tyre morale dhe intelektuale. Pa këtë, ata do të dilnin përpara historisë, në rastin më të mirë, vetëm si të fundit e asaj trashëgimie të gjatë të sunduesve të egër e të shkapërdarë, të cilët e kanë tërhequr pa mëshirë vendin e tyre...”
Edhe Partia Socialiste, që është një vijimësi e Partisë Komuniste, këto ditë, me këtë kauzë, e cila ka altruizmin në bazë të saj, ka gjetur justifikimin e saj të pavetëdijshëm nga e vërteta që i vjen nga bota e jashtme, që çdo ditë e më radikalisht i kërkon asaj të futet në parlament dhe të pranojë bazën e këtij sistemi të ri për ta, “Demokracisë Parlamentare”.
Ata nuk e njohin dhe kërkojnë t’i gjejnë kleçka me çdo kusht këtij sistemi, sepse pa diktaturën, pa krimet, që ata nuk kishin guxim të mos i bënin, ata nuk kanë ditur kurrë si të sundojnë. Në bazë të qëndrimit neurotik të Kryetarit të PS-së Edvin Rama, qëndron ndjenja tradicionale dhe instinktive e pasigurisë, se ai dhe PS janë të brishtë dhe nuk janë të afta të hyjnë në kontakt me sistemet politike dhe konceptin politik të vendeve perëndimore.
Në emër të marksizmit, ata sakrifikuan çdo vlerë deri para 20 vitesh, sot kthehen me maskën e transparencës duke e mbajtur tashmë atë si një gjethe fiku për respektueshmërinë e tyre morale dhe intelektuale, sepse tashmë askush nuk gjen më moral dhe vlera në PS dhe në kauzën e tyre, ku një kryetar për hir të karriges së tij, kërkon të mbajë peng jo më vetëm PS por të gjithë fatet e vendit, sepse intelektualët e vërtetë të atij grupimi janë distancuar dhe lënë jashtë, sepse thjeshtë nuk pranuan që të vishnin gjethen e fikut. Nëse ato (Kryetari i PS dhe ata që e ndjekin me apo pa dëshirë), do të pranonin realitetin do të dilnin para historisë në rastin më të mirë, vetëm si të fundit të asaj trashëgimie të sunduesve që e tërhoqën këtë vend pa mëshirë, zvarrë nga mjerimi në mjerin, nga skllavëria në skllavëri...
Historia na ka mësuar se ka vetëm dy mënyra jetese sot në botë: - Njëra mënyrë bazohet në vullnetin e shumicës dhe dallohet nga institucione të lira, qeveri përfaqësuese, zgjedhje të lira, garanci për lirinë e individit, liri e fjalës dhe besimi; - Mënyra e dytë bazohet në vullneti e pakicës, të imponuar me forcë mbi shumicën. Ajo bazohet në terrorin dhe shtypjen, në një shtyp dhe radio të kontrolluar, në zgjedhje jo të lira dhe në shtypjen e lirive të individit brenda grupimeve të tyre politike...
Unë besoj se shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke përqafuar rrugën e sakrificave drejt BE, duke zgjedhur rrugën e pakufijësisë dhe lirisë së individit, dinjitetit për veten dhe respektin për ato që do të vijnë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›