Meta: Ne do të zgjidhim çështjen e legalizimeve
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje takime elektorale me banorët e zonës së Bathores në Tiranë. Gjatë këtyre bashkëbisedimeve, Meta mori mbështetjen e banorëve, për alternativën e LSI, e cila do të nxjerrë jo vetëm këtë zonë nga varfëria e thellë, por do të nxjerrë vendin nga kriza dhe përmes Planit për Veprim, do të garantojë zhvillim dhe integrim për shqiptarët. Meta tha se ne nuk premtojnë ndërtimin e centraleve bërthamore, që nuk ju duhen Shqipërisë, nuk premtojnë ndërtimin e termocentraleve që helmojnë Shqipërinë, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Ne, tha Meta, kemi programin më të qartë, më konkret dhe më të thjeshtë, që i fut shqiptarët në punë gjatë 4 viteve që vijnë. Duke folur për problemin e mprehtë social të legalizimeve, lideri i LSI u shpreh se "është koha për të zgjidhur problemin e legalizimeve. Unë kam qenë i pari në detyrën e Kryeministrit, që kam hedhur si të domosdoshme alternativën e legalizimeve, që në vitin 2001". Meta shprehu bindjen se do të ketë mundësinë që me votën e qytetarëve të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e legalizimeve, si një çështje shumë të rëndësishme sociale, por edhe ekonomike jo vetëm për ju, por për të gjithë vendin tonë.