Rama sfidon gjobën, vazhdon shkuljen e Skënderbeut nga themelet
Edhe pse dy ditë më parë Bashkia e Tiranës është sinjalizuar se është gjobitur me 2 milion lekë nga Inspektorati i Mjedisit për mospajisjen me leje mjedisore punimet në sheshin Skënderbej kanë vazhduar rishtazi. Madje janë shtuar ditën e djeshme makineritë e rënda që dukeshin sikur do të shkulnin nga rrënjët monumentin e heroit tonë kombëtar mu në mes të
Tiranës në mesin e ditës. Vetë kreu i Bashkisë Rama duket sikur e ka sfiduar faktin e gjobës duke vijuar më tej punimet madje duke hequr edhe 4 kolona mbajtëse të monumentit. Në këtë kontekst Bashkia e Tiranës nuk e ka marrë parasysh faktin se gjoba e vendosur nga Ministria e Mjedisit si një ndër masat ndëshkimore për punimet në shesh mund të sjellë edhe thellimin e mëtejshëm të konfliktit të heshtur midis dy institucioneve. Në lidhje me punimet e sheshit vetë kreu i Inspektoriatit të Mjedisit Ilir Bala ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOTse nga ky institucion do të ndiqen të gjitha hapat ligjore për ekzekutimin e urdhrit më të fundit për pajisjen me leje mjedisore të Bashkisë së Tiranës për vazhdimin e punimeve në shesh. Sipas tij pretendimet e Bashkisë se janë kryer procedurat për të marrë këtë leje janë të padrejta dhe se në Ministrinë e Mjedisit nuk figuron asnjë dokumentacion i cili paraqet kërkesën apo dosjen për aplikimin për leje mjedisore. Në lidhje me këtë Bala ka theksuar faktin se nëse punimet vazhdojnë atëherë nga Inspektorati i Mjedisit do të merren masa edhe më të rënda deri në pezullimin e punës. Por në lidhje me këtë problem edhe këshilltari i çështjeve të Mjedisit Aleksandër Garuli, ka deklaruar ditën e djeshme se nuk figuron realisht një kërkesë e protokolluar nga bashkia e Tiranës pranë ministrisë së Mjedisit për leje mjedisi në mars të 2009. Sipas Garulit edhe nëse do ishte një kërkesë e tillë e regjistruar pranë ministrisë së Mjedisit. Pra ligji për miratimin në heshtje nuk e përfshin këtë kërkesë të bashkisë së Tiranës.
Precedenti
Punimet në sheshin Skenderbej, vazhdojnë ende nga Bashkia e Tiranës, pavarësisht se ministria e Mjedisit paralajmëroi pezullimin e tyre. Arsyeja e ndërprerjes së punimeve në këtë shesh, sipas specialistëve të mjedisit, është mungesa e lejes së mjedisit nga institucioni i Bashkisë. Ndërkohë drejtuesit e ministrisë së Mjedisit, shprehen se bashkia nuk ka paraqitur asnjë kërkesë, por edhe nëse do të ishte bërë një gjë e tillë ashtu siç pretendojnë drejtuesit e Bashkisë që në mars të 2009, sërish do të kishte një përgjigje zyrtare për miratim ose jo nga ministria e Mjedisit, gjë që nuk ka ndodhur. Çështja e shumërfolur e punimeve të sheshit Skënderbej për sheshin Skënderbej ka përfshirë tashmë edhe arkitektët e profesionistët e urbanistikës. Ditën e djeshme arkitekti Enver Faja ka deklaruar se projekti belg nuk mund të harmonizohet me planin Francez për qendrën e Tiranës pasi përmban disa shkelje të ligjeve dhe kritereve të ndërtimit. Profesor njohur si një ndër arkitektët e godinës së Muzeut Historik Kombëtar dhe Bashkëhartues i planit për Tiranën e madhe. Arkitekti Faja thotë se aktualisht duhet zhbllokuar zona e mbetur e unazës së vogël nga ndërtimet, për ta lehtësuar trafikun dhe frymëmarrjen urbane në qendër të Tiranës. Për arkitektin Faja tri kullat që parashikohet të ndërtohen në dy fazat e tjera të projektit belg në sheshin Skënderbej janë të gabuara . Përmes argumenteve profesionale ai vijon të mbrojë mendimin se zemra e qytetit duhet të jetë e hapur dhe jo e mbyllur nga arteriet rrugore.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Hene, 05 Prill 2010 20:55