E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet, pa leje në Gjirokastër zaptojnë spitalin

Drejtoria dhe stafi mjekësor në spitalin rajonal Omer Nishani në Gjirokastër, reagojnë ndaj ndërtimeve pa leje që cënojnë pronësinë e këtij institucioni. Shkak është bërë ndërtimi i një pallati shumëkatësh fare pranë pjesës jugore të spitalit rajonal në pjesën e godinës së maternitetit. Ndonëse largësia e objektit privat me atë të spitalit sipas arkitektëve të Bashkisë është konform ligjit,

ajo çka sjellë reagimin e mjekëve dhe drejtorisë, është ndërtimi pa leje i shkallëve në anën e pasme të godinës duke u lidhur direkt me oborrin e maternitetit. Duke parë me shqetësim shkatërrimin dhe uzurpimin e pronës shtetërore, mjekët kanë reaguar por ende nuk kanë gjetur zgjidhje për këtë fenomen. Sipas mjekut ortoped Murat Kaçi megjithëse peticionet u janë dërguar Bashkisë së Gjirokastrës, Policisë Ndërtimore dhe Ministrisë së Shëndetësisë përveç kësaj të fundit, të gjitha institucionet e tjera kanë qëndruar indiferente karshi këtij shqetësimi. Të ndodhur në këto kushte mjekët përmes sindikatës paralajmërojnë të gjitha format demokratike të protestës për zgjidhjen e këtij problemi. Këto ndërtime sipas kirurgut Murat Kaçi, cenojnë jo vetëm pronën shtetërore, por edhe funksionimin normal të një institucioni shtetëror spitalor siç janë disiplina dhe qetësia që duhet të mbizotërojnë në këto ambiente. Kaci shkon edhe më tej duke theksuar se tolerimi i mëtejshëm i kësaj situate, po e kthen sipërfaqen që rrethon spitalin, në një qendër tregtare. Ndërkohë drejtori i spitalit Genci Sinoimeri, pohon për gazetën SOT se hap pas hapi subjektet private po cenojnë territorin e institucionit shëndetësor. Sipas tij pallati ka vite që ka nisur ndërtimin duke shkatërruar murin rrethues të spitalit, por ankesat e drejtuesve të ndryshëm për këtë fenomen, nuk janë marrë parasysh nga askush. Ndërtimi i shkallëve të pallatit në anën e pasme të tij, legalizon njëherë e mirë përdorimin e oborrit të spitalit për qëllime që nuk kanë lidhje me funksionimin e një institucioni spitalor. Stafi drejtues i spitalit sipas Sinoimerit, ka marrë kontakt me të gjitha institucionet që kanë të drejtën ligjore për të ndërhyrë në rastin e ndërtimeve pa leje, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Në rast se kjo do të vazhdojë, ne do të ndërhyjmë edhe vetë për të mbrojtur pronën shtetërore-ka kërcënuar Sinoimeri. Në përpjekje për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve, Sinoimeri ka vlerësuar edhe qëndrimin e stafit mjekësor të spitalit. Në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtuesit e spitalit rajonal të Gjirokastrës, janë në proces të administrimit zyrtar të territorit duke nisur procedurat e hipotekimit dhe rregullimin e rrethimit në vendet ku ai është shkatërruar. Spitali Omer Nishani rrethohet nga një sërë ndërtimesh si pallate, objekte tregtare, klinika mjekësore private si dhe vila ku këto të fundit janë në pronësi të mjekëve që punojnë në këtë institucion. Sipërfaqja e vogël e qytetit të Gjirokastrës, pezullimi i shitjes së trojeve dhe mungesa e një plani të zhvillimit perspektiv të qytetit, ka sjellë si pasojë ndërhyrjen herë pas here të mjaft subjekteve private në pronat shtetërore.


T. Hoxha

Last Updated on E Hene, 05 Prill 2010 19:24

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›