Rikthehen radhët në Kapshticë, rreth 5 mijë emigrantë lënë Shqipërinë
shqiptarë kanë nxituar të rikthehen sërish në shtetin fqinj pranë vendeve të tyre të punës. Autoritetet e vendkalimit kufitar të Kapshticës bëjnë të ditur për gazetën se pavarësisht numrit në ulje të udhëtarëve shqiptarë që kanë hyrë për festën e Pashkëve gjatë javës së fundit në krahasim me të njëjtën periudhë në të një viti më parë, nuk është bërë e mundur shmangia e radhëve. Pala shqiptare sipas komandantit të pikës së kalimit të Kapshticës Dritan Sheme i ka shtuar sportelet prej disa ditësh në gjashtë të tillë nga të cilat pesë janë në punë për daljet nga Shqipëria drejt Greqisë, ndërkohë që vetëm një funksionon për hyrjet nga Greqia. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë mësohet se në 24 orët e fundit kanë lënë Shqipërinë rreth 5 mijë emigrantë me 2 mijë automjete. Radha në tokën shqiptare ka kaluar të tre kilometrat duke iu afruar fshatit të parë shqiptar atij Kapshticë. Emigrantët qëndrojnë për më shumë se pesë orë në pritje, ndërkohë që kjo është dhe koha më e pakët e mundshme derisa ata të përfundojnë të gjitha procedurat ndërkufitare për të kaluar nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Pala greke ka shtuar sportelet e saj duke vënë në dispozicion për hyrjet në shtetin e saj pesë sportele dhe një tjetër për dalje. Megjithëse puna nga ana e palës greke nuk është ndërprerë për asnjë çast fluksi i madh i udhëtarëve shqiptarë ka krijuar kaos në të dyja pikat e kalimit. Ndërkaq numrit të madh të automjeteve që presin në një radhë të pazakontë dhe sfilitëse gjithashtu i shtohen edhe autobusët e linjave të përditshme me shtetin grek. Më shumë se 15 autobusë bashkë me udhëtarët e tyre nuk kanë mundur të shmangin dot radhët, ndërsa iu është dashur të presin rreth katër orë deri në përfundim të procedurave kufitare. Gjithsesi autoritetet shqiptare dhe ato greke sipas një marrëveshje të përbashkët disa kohë më parë, kanë lejuar që të dhënat e udhëtarëve të mjeteve të transportit publik të përpunohen më shpejt se ato të automjeteve të tjera. Gjithsesi situata në kufirin mes dy shteteve në pikën kufitare të Kapshticës gjatë ditës së parë të kësaj fillim-javë ka qenë shumë e rënduar. Policia shqiptare nga ana tjetër ka marrë të gjitha masat për të patur situatën nën kontroll të plotë por dhe për të evituar problemet që mund të shkaktohen nga këto dyndje të pazakonta që ndodhin të njëjta disa herë në vit me rastin e festave. Ndërkaq takime dy palëshe mbahen mes policive të dy vendeve për të bashkërenduar punën dhe për të shmangur problematikat e këtyre ditëve të vështira.
I. Frashëri